TAGS-AT E JAVËS

Kulture10 Qershor 2024, 13:22

Urbain Masena, kongolezi që mjekon shqiptarët

Shkruar nga Afrim Imaj
Urbain Masena, kongolezi që mjekon shqiptarët
Urbain Masena /

Historia e rrallë e afrikanit që u rrit dhe diplomua në Shqipëri. Drama e depërtimit nga vendlindja dhe karriera mes bluzave të bardha në Tiranë. Ditët shqiptare të njeriut me ngjyrë

Urbain Masenën e ka pagëzuar nëna në qytetin e lindjes, në Kinshasa. Po me këtë emër do të thirrej deri në moshën 15-vjeçare. Më vonë andrallat e jetës do ta degdisnin larg dhe djaloshi, që do të humbiste vendlindjen, bashkë me të do të harronte edhe emrin e nënës. Kur do të mbërrinte në Shqipëri, aty nga fillimi i viteve ‘60, vendasit do ta kishin vështirë t’i shqiptonin emrin e vërtetë dhe do t’i binin shkurt, duke e thirrur Arben. Dhe qysh atëherë do t’i mbetej ky emër. Tashmë është 65 vjeç dhe jeton prej vitesh në një apartament të thjeshtë diku, në skaj të rrugës “Bardhyl”. I ardhur në vendin tonë në kohën kur Kongo përzhitej nga flakët e luftës civile, ai u rrit në përkujdesjen e shoqërisë shqiptare dhe pasi u diplomua në fakultetin e Mjekësisë, vazhdon të shërbejë mes bluzave të bardha. Për shumë vite shërbeu si mjek në qytetin e Vorës. Eshtë mirënjohës për atë që i kanë ofruar shqiptarët dhe, siç thotë, mundohet tua shpërblejë me përkushtim. Po cila është historia e kongolezit, që ka bërë emër në korpusin e bluzave të bardha shqiptare...

Nga Kinshasa në Tiranë, rrugëtimi i dramës së dhimbshme

Urbain Masena ka ardhur në Tiranë në fillim të viteve ‘60. Ka qenë pesëmbëdhjetë vjeç. I vetëm, i traumatizuar dhe i panjohur me askënd nga pasagjerët e tjerë, të cilët linin Kinshasën dhe shtegtonin në panik diku larg, shumë larg. Fjalën Shqipëri, Tiranë as që e kishte dëgjuar ndonjëherë. Në kujtesën e tij ai rrugëtim rrëqethës ka mbetur i fiksuar me detaje. Ato që ka përjetuar kur zbriste për herë të parë në tokën që e shqiptonin Albani, kanë qenë momente ngazëllimi e befasie njëherazi. Teksa u kthehet tani, pas gati pesë dekadash, përlotet dhe rrëfen me një qetësi të admirueshme...

“Mbaj mend që në avion na hipi “Kryqi i Kuq”, po se ku shkonim, askush nuk na e shpjegonte. Kinshasa ato ditë buçiste nga pushkët dhe mitralozat. Grushti i shtetit e kishte futur vendin në një luftë civile. Goditja e parë kishte rënë mbi kabinetin qeveritar dhe përfaqësuesit legjitim të shtetit. Babai im kishte rënë i pari nga ministrat në duart e rebelëve dhe ishte burgosur. Të tjerët pastaj, ose ishin asgjësuar, ose ishin izoluar diku. Puçistët kishin ardhur me dhunën e armëve në krye të institucioneve dhe po me armë kishin shfarosur të gjithë ata që kishin gjetur në zyrat e shtetit. Kaosi dhe lufta kishin përshkuar tërë Kongon. Ne, fëmijët e zyrtarëve të lartë, kishim mbetur rrugëve, në ndjekjen e forcave rebele që kishin ardhur në pushtet. Hakmarrja dhe shpagimi i tyre nuk kursenin as jetën e fëmijëve dhe të grave. Mjaft nga familjarët e zyrtarëve mbetën viktima të kësaj lufte të shfrenuar. Të tjerë syresh humbën pa adresë. I vetmi kontribut në ndihmë ndaj nesh ishte ai i “Kryqit të Kuq”, që mundohej të shpëtonte çfarë të mundte nga jetët e pafajshme të fëmijëve të terrorizuar. Misionarët e tij mblidhnin fëmijët në rajonet e përflakura nga lufta dhe i nisnin në vendet e çliruara. Mua më qëlloi fati, që falë përkujdesjes së tyre të gjendem në Shqipëri. Kështu pra, me lot në sy mbërrita nga Kinshasa në Tiranë. Vetëm këtu u kujtova për pjesën tjetër të familjes. Pas shumë vitesh mora vesh vendndodhjen e tyre. Nëna me njërin nga vëllezërit ishte sistemuar në Suedi. Të tjerët ishin shpërndarë që nga Finlanda, Belgjika, Çekia e deri në Kanada...”                                     

Kështu është gjendur në Shqipëri djali i ministrit të Brendshëm në kabinetin e Mobutos, Urbain Masena. Fillimisht për të shpëtuar kokën, siç thotë ai. Pastaj për t’u integruar me dinjitet në shoqërinë shqiptare. (Vijon…)/Pamfleti

urbain masena

Lini një Përgjigje