TAGS-AT E JAVËS

Kulture11 Qershor 2024, 11:08

Historia e trishtë: Një abetare në shqip për mua 'zezakun' nga Kongo

Shkruar nga Afrim Imaj

 

Historia e trishtë: Një abetare në shqip për mua
Urbain Masena /

“Në Tiranë u pagëzova mjek, njoha shoqen e jetës, u martova, mora shtëpi, u bëra baba. Tirana për mua është jeta”…

(Vijon nga pjesa e parë)

“Nata e parë në Tiranë pas atij rrugëtimi të gjatë, dukej si një ëndërr. Një tjetër pamje nga ajo e luftës që kishim lënë në Kinshasa. Kudo, një qetësi e jashtëzakonshme. Krismat e armëve dhe britmat e ushtarëve mesa dukej i kishim lënë larg. Po nuk ndryshonte vetëm peizazhi. Ndryshonte edhe pamja e njerëzve. Isha bërë 15 vjeç dhe për herë të parë shikoja njerëz pa ngjyrë.

Pas atyre ditëve të traumatizuara në vendlindje, për herë të parë gjumi më zuri si qengj, siç thoni ju shqiptarët. Qysh ditën e parë gjetëm një mjedis të ngrohtë e atëror”.

Kështu e kujton ditën e parë në Tiranë djali i ministrit të pushkatuar të Kongos. Për të kontakti me Shqipërinë ka qenë si kontakti me një planet tjetër. Më tej, në rrëfimin e tij, Urbain sjell përjetimet nga ditët kur duhej të mësonte ABC. “E para gjë që na dhanë të nesërmen e mbërritjes ishte një libër me kapak të trashë, që i thoshin abetare. Dhe qysh atë ditë filluam me një kurs të përshpejtuar për të mësuar ABC-në. Një mësues i mrekullueshëm me emrin Zini punoi me ne për gjashtë muaj me radhë, deri sa mundëm të përvetësojmë shqipen. Ishte një burrë me durim të tejskajshëm. Shumë njerëzor e fisnik. Me abetaren mësuam edhe mjaft nga ngjarjet e këtij vendi, që të bënin të ndjeheshe krenar.

Kështu, deri sa nisëm nga mësimi në shkollë. Tetëvjeçaren e bëmë në Vlorë. Njerëz shumë bujarë e të sjellshëm na ndenjën pranë. Askush dhe në asnjë rrethanë nuk na lëndoi si qytetarë të një race tjetër. Me një përkujdesje atërore na shërbeu personeli i shtëpisë së fëmijës së këtij qyteti.

Kur kujtoj rininë, më del para syve Lezha

Urbain Masena, ish-gjimnazisti i “Ydajet Lezhës”, e quan periudhën më të bukur të jetës së tij atë të studimeve në shkollën e mesme të qytetit bregdetar. “Kur kujtoj rininë, përfytyroj Lezhën”, thotë shpesh kongolezi, që fati e solli të jetojë në Shqipëri. Ndonëse një konviktor, madje i një kombësie tjetër, ai është ndjerë si në shtëpinë e vet, si në Kinshasën e vendlindjes. Në kujtesën e Urbainit kanë mbetur të regjistruara mjaft përjetime nga mirësia dhe solidariteti i spikatur i njerëzve të këtij qyteti. “Në Lezhë kam njohur veten, kam mësuar se ç’do të thotë shoqëri, kam guxuar të dashuroj, jam aftësuar për notin, kam mësuar këngët e para në gjuhën shqipe”, kujton mysafiri i largët i qytetit bregdetar. Kur e pyet nëse është ndjerë ndonjëherë i fyer, apo i përbuzur si qytetar i një race tjetër, Urbaini përgjigjet prerazi “Asnjëherë!”. Madje me zë të lartë dallon një të vërtetë të padiskutueshme. Për të Lezha është qyteti që nuk do ta ndërronte me asnjë tjetër në botë. Më shumë se bukuritë që i ka falur natyra, për djaloshin që ka kaluar rininë në të, Lezha mbart një tjetër mrekulli të brendshme, që nuk shikohet me sy, por që preket e përjetohet në përditshmërinë e saj. “Një mrekulli shpirtërore, që të mban tërë jetën peng”, shprehet Urbaini me një profil disi poetik, që, siç thotë, e ka dhuratë nga qyteti i Lezhës. Prandaj edhe kthehet shpesh aty, me mallin si për shtëpinë dhe vendlindjen e largët. Kontaktet e shpeshta me të njohurit dhe miqtë lezhjanë janë nga çastet më të gëzuara të jetës. Në emrat dhe adresat e shumta që e lidhin me qytetin bregdetar, Urbaini veçon atë të ish-mësueses së matematikës, Neta Ristanit, të cilës, siç shprehet, i detyrohet shumë për përkujdesjen dhe ngrohtësinë vëllazërore që i ka ofruar në çastet e vështira.

Po nga Lezha, djaloshi nga Kinshasa e Afrikës ka edhe një kujtim të veçantë, “njerëzit, autoritetet zyrtare të saj, - shton ai, - më ndihmuan që të përmbush amanetin e babait për të studiuar mjekësi. Dhe kur se? Në një periudhë krize, kur kjo degë ishte privilegj vetëm për familjarët e krerëve të shtetit”. Këtë nder të qytetit bregdetar Urbaini e vlerëson si një shans të jashtëzakonshëm që i kanë falur me bujari shqiptarët. Dhe ai diti t’i përgjigjet, siç thotë, me përkushtim dhe këmbëngulje, duke siguruar diplomimin e suksesshëm.

Urbaini të qëndrojë mjek në Tiranë!

I porsadiplomuar në mjekësi, kongolezi Urbain Masena do të fillonte punë në Tiranë. Ky ishte një tjetër privilegj për të. “Asokohe, - shton ai, - gati të gjithë mjekët e rinj e nisnin profesionin në zonat e skajshme të vendit, që nga Tropoja, Hasi, Puka, Dibra, Shkodra e deri në periferi të Gramshit e Ersekës.

“Urbaini të qëndrojë mjek në Tiranë!” Teksa kujton këtë porosi urdhëruese të përfaqësuesit të Ministrisë së Shëndetësisë në ditën e emërimit, kongolezi, që u diplomua në Shqipëri, përmend mjedisin vëllazëror që gjeti në klinikën në kryeqytet, ku nisi punën rishtaz. Pyetjes se a ndjente vështirësi si i huaj gjatë ushtrimit të profesionit në Tiranë, Urbaini i përgjigjet se fillimisht po, por me kalimin e ditëve do të integrohej natyrshëm në komunitetin e bluzave të bardha dhe në shoqërinë e kolegëve. “Falë fisnikërisë së tyre dhe qytetarisë së tiranasve, vë në dukje Urbain, do të ndjehesha jo vetëm i qetë në detyrë, por edhe shumë i motivuar”.

Me Tiranën dhe tiranasit mjeku me origjinë afrikane ka edhe shumë përjetime të tjera, që i përmbyll në një kontekst emocional.

“Në Tiranë u pagëzova mjek, njoha shoqen e jetës, u martova, mora shtëpi, u bëra baba. Tirana për mua është jeta”./(Vijon…) Pamfleti

historia e trishtë zezaku nga kongo një abetare në shqip

Lini një Përgjigje