
Zbardhen të tjera detaje nga masakra në Greqi, ku dyshohet se janë vrarë 6 shqiptarë.
Mediat greke raportojnë se në Loutsa në lindje të Athinës, janë gjetur të vrarë 6 persona, 5 brenda një makine ndërsa 1 tjetër jashtë saj. Dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me shqiptarë, por mbetet e pakonfirmuar.
“Kathimerini” shkruan se dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me një konflikt që ka nisur brenda burgjeve mes dy grupeve kriminale. 6 personat janë qëlluar me pistoletë 9 milimetërshe nga distancë e afërt.
Po ashtu ajo shkruan se banorë të zonës kanë parë një motor dhe një makinë që janë larguar me shpejtësi pas të shtënave. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 25 gëzhoja. Ndërkohë forcat speciale kanë rrethuar zonën për kapjen e autorëve. Viktimat janë gjetur brenda një “Fordi” të zi me targa gjermane.
“Dëgjuam të shtënat, ishin të shumta dhe me breshëri”, ka thënë një dëshmitar, duke shtuar se ngjarja e përgjakshme ka zgjatur disa minuta dhe se beson se ka pasur shkëmbim zjarri.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve, ndërsa në të njëjtën kohë po mbledh dëshmitë e banorëve të zonës dhe po skanon kamerat e sigurisë për të mbledhur video materiale që do t'i ndihmojnë në hetime.


Lini një Përgjigje