
Durim Bami, Marklen Haka dhe Valter Bami, janë shoqëruar në polici pas atentatit të kryer ndaj Gentian Bejtjas ku mbeti i vdekur kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e tij të mitur. 3 të shoqëruar dikur ishin miq me Bejtjan, por marrëdhëniet mes tyre u prishën pas zhdukjes së Enver Stafukës. Pista që po hetohet është përplasja mes grupeve kriminale të Niklës.
Mësohet se familjarët dhe vetë Gentian Bejtja nuk janë pyetur akoma për shkak të situatës me fëmijët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 gëzhoja.
Tre të shoqëruarit njihen si tre të fortët e Niklës, pasi kanë rekorde të theksuara kriminale në të shkuarën. Durim Bami nga Kruja është një emër i njohur nga drejtësia, por sidomos nga publiku dhe politika shqiptare. Ai ka qenë dënuar më parë për vjedhje me armë. Bami është i njohur për atentatin e pretenduar nga Tom Doshi. Për këtë atentat të pretenduar në dyert e Prokurorisë përfunduan të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit. Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami u akuzuan për kallëzim të rremë për çështjen e atentatit të pretenduar ndaj Tom Doshit dhe deputetit të PD, Mhill Fufi. Doshi akuzoi në 2015-ën ish-kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, se kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Valter Bami është vëllai i Durim Bamit edhe ky një emër i njohur i botës së krimit.
Marklen Haka është pjesë e “Bandës së Niklës” dhe në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Marklen Haka arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah. Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash. Në janar të këtij viti ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona.
Po ashtu edhe Gentjan Bejtja është një emër i njohur për drejtësinë. Ai u qëllua me armë zjarri së bashku me shtetasin Klodian Stafuka mbrëmjen e 10 Janarit 2022. Ata janë qëlluar teksa lëviznin me makinë pranë shkollës së fshatit Larushk në zonën e Fushë Krujës, ndërsa Bejtja mbeti i plagosur në krah.
Në shtator të vitit 2016, ndaj tij është organizuar një atentat me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.
I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 42-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm.
Gjithashtu, ndaj tij ka dyshime se është përfshirë edhe një seri grabitjesh.
Lini një Përgjigje