Policia e Shtetit ka shoqëruar tre persona pas ngjarjes së rëndë dje në Krujë, ku u vra një 29-vjeçar dhe u plagosën dy të mitur, një atentat i ndodhur në banesën e Gentjan Bejtjas në fshatin Larushk.
Sipas burimeve zyrtare, janë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa.
“Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmë, për ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit G. B., ju bëjmë me dije se: Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasi R. S., 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, (nipat e shtetasit R. S).
Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, do të ketë një njoftim për shtyp në vijim”, njoftoi zyrtarisht Policia.
Dyshohet se autorët e atentatit kanë qenë 3 persona, të cilët i kanë zënë pritë Gentain Bejtjas në hyrje të banesës së tij. Autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi në drejtim të Gentian Bejtjas, sapo ai ka zbritur nga makina. 42-vjeçari ka qenë në makinë bashkë me familjen e tij.
Pas atentatit, në Tapizë te Lapidari rreth orës 00:40, është gjetur i djegur një automjet, dyshohet tip "Volkswagen", i cili rezulton i vjedhur dhe mund të jetë përdorur nga autorët për të kryer atentatin. Brenda makinës së djegur krejtësisht janë gjetur tre kallashnikovë.
Lini një Përgjigje