TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Shkurt 2026, 12:25

Vrasja e dy të rinjve në Manëz, dorëzohet në polici 31-vjeçari që ndihmoi autorin të largohej

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e dy të rinjve në Manëz, dorëzohet në polici
Flori Paluçi dhe Aranit Kurti (viktimat)

Gëzim Allçi, i shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në tetor 2025 në Manzë të Durrësit, është dorëzuar në polici. Ngjarja e vitit të kaluar pas një sherri për ekspresin e kafes, la të vrarë me armë zjarri shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.

Gjithashtu, 31-vjeçari ka dorëzuar një send në dukje pistoletë (armë sportive me gogla), duke deklaruar se këtë e kishte me vete ditën e ngjarjes.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të datës 13.11.2025, e cila ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit G. A., 31 vjeç, banues në Manëz, Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Shtetasi G. A. ishte shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në tetor 2025, në Manëz, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas.

Ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Durrës.

Gjithashtu, ky shtetas ka dorëzuar një send në dukje pistoletë (armë sportive me gogla), duke deklaruar se këtë e kishte me vete ditën e ngjarjes.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.

Ndërkohë, personi tjetër i shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes, ishte autori Daniel Pepa i cili u dorëzua në polici më 19 Nëntor 2025.

Si ndodhi krimi?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor, në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti. 

21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe ka kërkuar një kafe, por kamarieri 17-vjeçar Alteo Pepa i kishte thënë se ekspresi ishte fikur. Në atë moment, ndërhyri Flori Paluçi i cili ndodhej në lokal me disa persona të tjerë. Debati verbal mes palëve degradoi në përplasje fizike.

Pepa largua nga lokali me automjetin e tij, por pak më vonë u kthye bashkë me Ergi Kadiun dhe Aranit Kurtin (23 vjeç). Në momentin që ata tentuan të hyjnë sërish në lokal, Flori Paluçi doli jashtë dhe qëlloi në tokë me armë zjarri. Sipas hetimeve, Pepa reagoi duke qëlluar me armë drejt Paluçit, ndërsa Aranit Kurti e goditi atë me grusht në fytyrë. Ndërsa Paluçi ka qëlluar drejt të dyve.

Nga të shtënat, Kurti mbeti i vrarë në vend pasi u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit humbi jetën pak çaste më vonë nga plumbat e shkrepur nga Pepa.

Policia arrestoi katër persona të tjerë të përfshirë në ngjarje për moskallëzim krimi: Ergi Kadiu, Erald Cani dhe vëllezërit Taulant e Emirjan Beqja. 

Lini një Përgjigje