TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Shkurt 2026, 12:15

U kap me drogë dhe armë, publikohet fotoja e 42-vjeçarit të arrestuar në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
U kap me drogë dhe armë, publikohet fotoja e 42-vjeçarit
Vilson Shima

Publikohet fotoja e 42-vjeçarit Vilson Shima, i arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap me rreth 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në automjetin e tij në Unazën e Madhe.

Efektivët e policisë i presin rrugën automjetit dhe i vendosin prangat 42-vjeçarit. Raportohet se  lënda narkotike ishte futur në një qese plastike dhe ishte vendosur në pjesën e pasme të automjetit.

Gjatë kontrollit në banesën e 42-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri të llojit pistoletë, dy silenciatorë si dhe municion luftarak. Materialet janë dërguar për ekspertizë, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndojnë disa akuza, përfshirë atë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas informacioneve, policia kishte prej disa kohësh në vëzhgim Vilson Shimën, si person të dyshuar për përfshirje në shitjen e lëndëve narkotike. Mësohet se kanabisin e kishte siguruar në zonën e Baldushkut dhe synonte ta shiste në afërsi të zonës së njohur si “Kafja e Rremës”.

Gjithashtu, bëhet me dije se 42-vjeçari ka kuptuar që po ndiqej nga policia dhe ka devijuar rrugën, duke tentuar të largohej në drejtim tjetër, por është ndaluar pas ndërhyrjes së efektivëve.

I arrestuari nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e blerësve të lëndës narkotike si dhe për persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet të paligjshëm.

"Sekuestrohen 10 kg kanabis, 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak, vihet në pranga 42-vjeçari.

42-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke transportuar 10 kg kanabis me qëllim shitjen.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që po transportonte lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.

42-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke qarkulluar me një automjet, në të cilin gjatë kontrollit u gjetën, në total, 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.

Më tej, gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Lini një Përgjigje