Ngacmimi ndaj bashkëshortes së Gazment Buçpapajt dyshohet se ka qenë shkaku i konfliktit që përfundoi me vrasjen e 31-vjeçarit Egli Pashollari, pasditen e djeshme në zonën e ish-parkut në Tiranë.
Sipas burimeve nga policia, bashkëshortja e autorit të dyshuar, e cila punon si shitëse në një market pranë vendit të ngjarjes, i kishte treguar atij për shqetësime dhe ngacmime të vazhdueshme nga viktima. Rreth orës 15:40, Buçpapaj, bashkë me gruan dhe një person tjetër, janë përballur me 31-vjeçarin, ndërsa konflikti ka degjeneruar në përdorimin e thikës, duke i shkaktuar këtij të fundit plagë fatale.
Pas ngjarjes, të dyshuarit janë larguar me automjetin e Buçpapajt. Më pas, sipas hetimeve paraprake, mjeti është braktisur dhe ata kanë marrë një taksi drejt banesës së tyre në zonën e Sharrës. Pas mbërritjes në shtëpi, Gazment Buçpapaj është arratisur dhe aktualisht është shpallur në kërkim nga policia.
Bashkëshortja e tij është shoqëruar dhe marrë në pyetje, ku ka deklaruar se viktima e ngacmonte shpesh dhe nuk e linte të qetë. Deri tani ajo nuk është arrestuar. Në pyetje janë marrë edhe prindërit e autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë të njëjtin version si gruaja.
Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, viktima fillimisht ka komunikuar me një person që lëvizte me automjet. Më pas, ky i fundit ka zbritur nga makina dhe e ka ndjekur me vrap për disa metra. Pas tij kanë shkuar edhe një vajzë dhe një tjetër person dhe janë përplasur me 32-vjeçarin. Në një moment, Gazmend Buçpapa ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar pas shpine Egli Pashollarin.
Disa persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por për shkak se kishte shumë gjakderdhje, e kanë futur në makinën e tij dhe e kanë dërguar në spital, por ai ka mbërritur i pajetë. Ndërsa policia është ende në kërkim të autorit.
Lini një Përgjigje