Një 63-vjeçar ka ndërruar jetë pasditen e së premtes, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në ambientet e sigurisë së Komisariatit të Policisë Durrës.
Sipas informacionit zyrtar, shtetasi me inicialet M.G. ishte arrestuar një ditë më parë për veprat penale “dhunë në familje” dhe “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ai ishte dënuar me 18 ditë burgim dhe pritej të transferohej për vuajtjen e dënimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Lushnjë.
"Rreth orës 18:20, në Spitalin e Durrësit, ka ndërruar jetë shtetasi M. G., 63 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ndodhej i shoqëruar në ambientet e sigurisë së Komisariatit të Policisë Durrës, pasi ishte dënuar me 18 ditë burgim dhe pritej të transferohej për vuajtjen e dënimit në IEVP Lushnjë.
Rreth orës 15:04, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe menjëherë është transportuar nga shërbimet e Policisë drejt Spitalit të Durrësit për ndihmë mjekësore, ku, pavarësisht asistencës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë në sallën e reanimacionit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave."-njoftoi policia.
Lini një Përgjigje