Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Fran Marashit, për kundërshtimin e vendosjes së tij në regjim të posaçëm në burgun e sigurisë së lartë.
Marashi kërkoi të dilte nga regjimi ‘41 biss’, aty ku mbahet i izoluar prej 13 dhjetorit të vitit 2024. Ai u dënua nga GJKKO me burgim të përjetshëm, si i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore, të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë.
Marashi iu drejtua gjykatës më 30 janar 2026, duke kundërshtuar urdhrin nr. 620, datë 13.12.2024, të Ministrisë të Drejtësisë, i cili parashikon vendosjen e tij në regjim të posaçëm për ushtrimin e të drejtave në burgun e sigurisë së lartë.
Në përfundim të shqyrtimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin nr. 119, datë 20.02.2026, vendosi papranueshmërinë e kërkesës, duke arsyetuar se çështja ka mbetur pa objekt.
Vendimi u mbështet në nenet 112 dhe 471, pika 5, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në disa vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit zyrtar, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar nga dita pas njoftimit të vendimit.

Njoftimi i GJKKO-së:
Kërkuesi Fran Marashi me datë 30.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e urdhërit nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet
112 dhe 471 pika 5 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe vendimet nr. 28, datë 16.12.2008; 11, datë 05.04.2013 dhe nr. 4, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin 119, datë 20.02.2026, vendosi:
Papranueshmërinë e kërkesës penale me nr. 119 Regjistri Themeltar, datë 30.01.2026, me Kërkues: Fran Marashi, me objekt: Shfuqizimin e urdhrit nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi” pasi çështja ka mbetur pa objekt.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Si ndodhi masakra:
Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.
Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Pas kësaj janë dëgjuar dy gjuajtje të fuqishme dhe blindi ka marrë zjarr, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano si dhe janë plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.
Nga të shtënat u vra edhe një qytetar Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment rastësisht. Sipas prokurorisë, autorë të krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari.
Lini një Përgjigje