Prokuroria e Lezhës ka vënë nën hetim 4 punonjës të OSHEE-së, një ditë pas vdekjes së 27-vjeçarit Mark Prenga në Rrilë.
Sipas Policisë së Lezhës, procedimi është regjistruar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Nën hetim janë një inxhinier elektrik 34 vjeç dhe tre elektriçistë që ishin të përfshirë në ndërhyrjen në terren.
27-vjeçari humbi jetën mëngjesin e të enjtes, pasi dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë pranë nënstacionit të Rrilës. Nga verifikimet paraprake rezulton se dyshohet për mosrespektim të protokolleve të sigurisë gjatë punës.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
"Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi humbjen e jetës së shtetasit M. P. (me detyrë elektricist i OShEE-së), dyshohet si pasojë e rënies në kontakt me rrymën elektrike, gjatë riparimit të një defekti, në një shtyllë në fshatin Rrilë, infomojmë se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Lezhës, nisi procedimi penal, për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin M. L., 34 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik i OShEE-së, si dhe për shtetasit K. Ll., 60 vjeç, A. Xh., 62 vjeç dhe E. R., 23 vjeç, me detyrë elektricistë të OShEE-së", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje