
Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të rinj nga Kamza, të ndaluar të premten mbrëma në qytetin bregdetar teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche Panamera”.
Me kërkesë të Prokurores Hava Memko, Gjyqtari Fatmir Ndreu caktoi sot masën e sigurisë “Arrest në burg” për 27-vjecarin Endrit Doku, 27-vjecarin Ervis Cukali dhe 21-vjecarin Imer Gega, të tre nga Kamza.
Ata u ndaluan mbrëmjen e së premtes nga efektivët e forcave “Shqiponja” të Komisariatit të Sarandës, në rrugën “Butrinti”, teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche” Panamera. Njëri prej tyre, pikërisht Endrit Doku, tentoi t’i largohej kontrollit duke u hedhur në det bashkë me çantën që mbante në krah.
Ai u arrit të kapej nga skafi i policisë kufitare Sarandë, ndërsa një polumbar gjeti në thellësi çantën bashkë me armën e zjarrit pistoletë brenda saj. Ndaj tij policia ngriti akuzën “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim i punonjësit të rendit publik.
Ndaj Dokut rëndojnë akuzat për “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”. Ndërsa dy personat e tjerë, Cukali dhe Gega, u arrestuan për “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga verifikimet rezultoi se Ervis Cukali ishte në kërkim prej dy vitesh për akuzat “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve luftarake”, lidhur me një ngjarje në Fier ku u zbuluan 21 kilogramë tritol.
Kujtojmë se Ervis Cukali ishte person në kërkim nga policia, ndërsa njihet si ushtari i Admir Tafilit i dënuar me burgim të përjetshëm.
Lini një Përgjigje