
Prokuroria e Vlorës ka zbarkuar në Kadastrën e këtij qyteti, ndërsa janë sekuestruar dosje dhe procedurat mbi një objekt në ndërtim (pallat) për të cilin po hetohet ligjshmëria e lejes së ndërtimit dhe procedurat e ndjekura.
Mësohet se tre oficerë të Policisë Gjyqësore ishin mesditën e sotme në Kadastrën e Vlorës ku kanë tërhequr një seri dokumentesh.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër që lidhet me hetime mbi lejet e ndërtimit dhe zhvillimin urban në qytetin e Vlorës.
Sipas burimeve të Report TV, nga Prokuroria po verifikohen dokumentet e dhënies së lejes dhe ecuria e zbatimit të saj, ndërkohë që në fokus janë edhe disa apartamente të objektit, për të cilat janë bërë denoncime se janë shitur në mënyrë të shumëfishtë.
Burimet bëjnë me dije se ky hetim do të shtrihet përtej ndërtuesve dhe do të përfshijë gjithashtu përfaqësues të Kadastrës, për të verifikuar nëse ka pasur bashkëpunim apo ndërhyrje të drejtpërdrejta në kontratat midis ndërtuesit dhe vlerësuesve të pronës.
Për arsye konfidencialiteti dhe ruajtjeje të integritetit të hetimeve, nuk bëhen të ditur emrat e ndërtuesve apo zyrtarëve të përfshirë në këtë fazë.
Lini një Përgjigje