TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Prill 2026, 12:29

Trafikuan 7 tonë kokainë nga Amerika Latine, GJKKO lë në burg vëllain e Mir Pepës dhe anëtarët e tjerë 

Shkruar nga Pamfleti
Trafikuan 7 tonë kokainë nga Amerika Latine, GJKKO lë në
Jetmir Pepa

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë “arrest në burg” të vendosura në mungesë për tre persona të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge.

Sipas vendimit, Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola akuzohen se kanë qenë pjesë e një strukture kriminale që ka transportuar sasi të mëdha kokaine drejt Europës.

Operacioni i Prokurorisë së Posaçme, i ndërmarrë disa ditë më parë, goditi një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 ton kokainë në nivel ndërkombëtar.

Në total janë firmosur 11 urdhër-arreste, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar vetëm 3 prej tyre. Kreu i dyshuar i grupit, Jetmir Pepa, vijon të jetë në kërkim.

Goditja e këtij grupi kriminal u bë falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore franceze, holandeze dhe britanike.

Paralelisht me aksionin për arrestimet, SPAK ka vijuar hetimet financiare, duke sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Grupi që transportoi 7 ton kokainë

Në fillim të vitit 2020, ndërsa pandemia sapo kishte nisur të ndryshonte ritmin e botës, një tjetër rrjet – shumë më i padukshëm dhe më i organizuar – po funksiononte paralelisht në korridoret tregtare mes Amerikës Latine dhe Evropës. Nuk ishte një operacion i vetëm, por një zinxhir i mirëstrukturuar trafiku, ku kontejnerët e zakonshëm të mallrave shërbenin si mbulesë për tonelata kokaine.

Gjatë muajve janar–mars 2020, sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nisën të qarkullojnë drejt tregut evropian. Sinjali i parë konkret për autoritetet erdhi më 21 mars, kur në Amsterdam u sekuestruan 8.5 kilogramë kokainë. Në pamje të parë, ishte një sasi relativisht e vogël, por hetimet treguan se ajo ishte vetëm një fragment i një rrjeti shumë më të gjerë.

Vetëm pak javë më vonë, më 7 dhe 8 prill, në Portin e Roterdamit u zbulua një nga ngarkesat më të mëdha të asaj periudhe. Një anije kolumbiane kishte transportuar nga Peruja një kontejner frigoriferik me lëngje frutash të ngrira. Brenda tij, të fshehura me kujdes, ndodheshin 1,018 kilogramë kokainë. Vlera e kësaj sasie në tregun e zi i kalonte 1.3 milionë euro, duke treguar shkallën e organizimit dhe fitimit të rrjetit.

Fluksi nuk u ndal. Më 6 qershor 2020, një tjetër ngarkesë mbërriti në të njëjtin port, këtë herë nga Guayaquil. Në dokumente figuronte si mall i destinuar për një kompani në Hungari, por në realitet përmbante rreth 2020 kilogramë kokainë. Hetimet zbuluan se një pjesë e kësaj sasie i përkiste të njëjtit grup kriminal, duke konfirmuar ekzistencën e një korridori të qëndrueshëm trafiku.

Megjithatë, jo çdo operacion rezultoi i suksesshëm për rrjetin. Më 26 qershor, në terminalin Muelle Sur, DP ëorld Callao në Peru, autoritetet ndërhynë dhe sekuestruan 516 kilogramë kokainë që ishte nisur drejt Holandës. Ishte një nga rastet e pakta kur ngarkesa u ndal që në origjinë.

Vetëm katër ditë më pas, më 30 qershor, një tjetër kontejner u bllokua në Roterdam. Ai vinte nga Kolumbia dhe në dokumente përmbante konserva me peshk ton, të destinuara për një kompani në Gjermani. Në të vërtetë, brenda tij u gjetën 500 kilogramë kokainë, të fshehura mes mallrave ushqimore.

Muaji gusht shënoi një tjetër fazë të rëndësishme të aktivitetit të rrjetit. Më 7 gusht 2020, autoritetet holandeze ndërhynë në autostradën A2 pranë Abcoude, ku sekuestruan 104 kilogramë kokainë. Por kjo ishte vetëm një pjesë e një operacioni shumë më të madh, i cili llogaritej të përfshinte rreth 1600 kilogramë në total.

Vetëm pak ditë më vonë, më 16 gusht, u zbulua një tjetër ngarkesë e madhe. Një kontejner me banane nga Ekuadori, që kishte kaluar përmes Antëerp përpara se të mbërrinte në Roterdam, përmbante rreth 1100 pako me një peshë totale prej 1238.39 kilogramësh kokainë. Ngarkesa ishte e destinuar për një kompani në Hagë, duke treguar se rrjeti përdorte kompani të ndryshme evropiane si mbulesë për shpërndarjen.

Seria e goditjeve vazhdoi edhe në vjeshtë. Më 1 dhe 2 tetor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 531 kilogramë kokainë në Portin e Roterdamit. Këtë herë, lënda narkotike ishte fshehur në një kontejner me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Të gjitha episodet e zbuluara i tregonin hetuesve një model të qartë veprimi: përdorimin sistematik të kontejnerëve tregtarë, maskimin e drogës në produkte ushqimore dhe krijimin e një zinxhiri logjistik që shtrihej nga portet e Amerikës Latine deri në zemër të Evropës. Sasitë e trafikuara arrinin në tonelata, ndërsa rrjeti shfaqte fleksibilitet të lartë, duke ndryshuar metoda dhe rrugë për të shmangur kontrollet.

Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Posaçme thotë se kemi të bëjmë me një “grup i strukturuar kriminal që ka operuar në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha”.

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e arrestit për 11 persona, por vetëm 3 prej tyre u ekzekutuan nga oficerët e Byrosë së Hetimit dhe Policia e Shtetit.

Lulzim Pepa, Florian Marku dhe Anton Kola u arrestuan nga Policia e Shtetit, ndërkohë që ndër të arrestuarit është edhe vëllai i Jetmir Pepës, i cili akuzohet si kreu i grupit kriminal.

Pepa është një emër i njohur për blutë, pasi në janar 2025 u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në një koncert festiv të organizuar ‘Cinco Cavalli’ në Parkun Olimpik të Tiranës.

Përveç masave të arrestit, Prokuroria njoftoi edhe sekuestrimin e 232 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kapin vlerën e 12 milionë eurove. Sekuestrimet përfshijnë biznese në Tiranë, Lezhë dhe qytetet e tjera të vendit, sipërfaqe toke, hotele, poste parkimi dhe apartamente, si dhe 89 makina të llojeve të ndryshme dhe llogari bankare, që i përkisnin shtetasve nën hetim ose personave të lidhur me ta.

Kompanitë e sekuestruara rezultojnë të jenë në emër të familjarëve të Jetmir Pepës dhe sipas të dhënave nga Open Data bëhet fjalë për kompani aktiviteti i të cilave është ndërtimi i pallateve apo hidrocentraleve, real estate dhe hotelieria.

gjkko jetmir pepa lulzim pepa

Lini një Përgjigje