Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 19-vjeçares shqiptare Myrto në ishullin Kefaloni, ndërsa një nga të arrestuarit, një ish-peshëngritës 26-vjeçar, është paraqitur në gjykatë ku ka kërkuar falje për ngjarjen.
Sipas informacioneve, ai pretendon se ishte personi që e nxori vajzën pa ndjenja nga apartamenti dhe se, së bashku me një 23-vjeçar, njoftuan shërbimet e emergjencës. Megjithatë, hetimet e Policisë greke paraqesin një version më të rëndë të ngjarjes.
Fillimisht, tre të arrestuarit u akuzuan për ekspozim dhe shkelje të ligjeve për narkotikët, por më pas akuza u përshkallëzua në vrasje me dashje përmes mosveprimit, në bazë të dispozitave të Kodit Penal grek. Ky ndryshim i jep çështjes një peshë më të rëndë ligjore, ndërsa pritet që edhe dy të dyshuarit e tjerë të japin dëshmitë e tyre.
Ngjarja ndodhi në Argostoli, ku 19-vjeçarja u gjet pa ndjenja në një shesh qendror në orët e para të mëngjesit të së martës. Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin e ishullit, ku më vonë ndërroi jetë.
Sipas aktakuzës, tre të rinjtë, 26, 23 dhe 22 vjeç, dyshohet se ndodheshin me viktimën në një dhomë hoteli dhe nuk i ofruan ndihmë në momentin kur ajo humbi ndjenjat, duke e lënë më pas në vendin ku u gjet.
Pamjet e kamerave të sigurisë konsiderohen prova kyçe për hetimin, pasi shfaqin 26-vjeçarin duke nxjerrë vajzën pa ndjenja nga hoteli dhe duke e lënë jashtë. Ndërkohë, hetuesit dyshojnë se të përfshirët mund të kenë tentuar të fshihnin gjurmët, përfshirë pastrimin e dhomës dhe zhdukjen e telefonit të viktimës, i cili u gjet më vonë i braktisur.
Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes lidhet me një arrest kardiak pas edemës pulmonare, ndërsa analizat toksikologjike pritet të japin më shumë informacion mbi rrethanat.
Në të njëjtën kohë, familjarë dhe miq i dhanë lamtumirën e fundit 19-vjeçares në katedralen e qytetit, mes një atmosfere të rënduar nga dhimbja. Babai i saj, në një deklaratë të fortë emocionale, ngriti dyshime për përfshirjen e një rrjeti të organizuar kriminal dhe kërkoi drejtësi për vajzën e tij.
“Është një grup i organizuar, i cili mund të ketë pasur një udhëheqës, mund të ketë pasur një zëvendëskryetar, mund të ketë pasur ndihmës, mund të ketë pasur aktorë, nuk e di se çfarë mund të ketë pasur. Më kurseni, mos lejoni ta fyejnë fëmijën tim. Sot kam si dasmën ashtu edhe funeralin e vajzës sime. E vesha si nuse dhe shkova i fola dhe i thashë ‘fëmija im, ja ku jam. I kisha premtuar të të shoqëroja. Në vend që të të çoja te i dashuri yt, po të çoj te Haros. Më shkatërrove, vajza ime!'”, tha babai i shqiptares.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë çdo provë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Lini një Përgjigje