TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Prill 2026, 22:01

Zbardhet dëshmia e mjekut të urgjencës, 19-vjeçarja Myrto 77 minuta luftë për të mbijetuar

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet dëshmia e mjekut të urgjencës, 19-vjeçarja Myrto

Për 77 minuta luftoi për jetën 19-vjeçarja shqiptare Myrto, e cila, sipas raportit informues të spitalit të Kefalonisë drejtuar mjekut ligjor, ndërroi jetë në orën 05:48 të mëngjesit të 14 prillit.

Sipas të dhënave, tre të akuzuarit e nxorën vajzën në rrugë dhe e lanë pa ndihmë në një shesh përballë hotelit që ajo kishte rezervuar, duke pretenduar se prisnin mbërritjen e urgjencës mjekësore.

Një nga mjekët që mbërriti në vendngjarje deklaroi se dy prej të arrestuarve nuk u treguan ekipit mjekësor se vajza kishte konsumuar drogë, por pretenduan se e kishin gjetur rastësisht në rrugë dhe nuk e njihnin.

Sipas njoftimit të marrë në orën 04:31, mbërritëm në qendër të Argostolit në 04:35. Gjetëm një vajzë të shtrirë në shpinë mbi një mur të ulët. Dy persona që ndodheshin aty thanë se e kishin gjetur pak më parë dhe nuk e njihnin. Ajo merrte frymë me vështirësi, kishte zgjerim të bebëzave dhe nivel shumë të ulët oksigjeni”, deklaroi ai.

Ai shtoi se një nga personat i dukej i njohur, duke aluduar për 26-vjeçarin, i cili ishte figurë e njohur në Argostoli. Pas mbërritjes në spital, mjekët tentuan reanimimin e të resë, por ajo nuk reagoi dhe ndërroi jetë pak më vonë.

Një 23-vjeçar, mik i viktimës, i cili ishte takuar me të atë natë, pretendon se ajo kishte kërkuar të konsumonte kokainë dhe se ai kishte kontaktuar një 26-vjeçar përmes Instagramit për ta siguruar substancën. Sipas tij, pagesën e kishte bërë vetë vajza.

Nga ana tjetër, familjarët dhe miqtë e 19-vjeçares mohojnë çdo përfshirje të saj me drogë. Një mike e afërt deklaroi se ajo nuk kishte probleme shëndetësore dhe nuk përdorte as drogë dhe as alkool. Ajo shtoi se në mëngjes kishte marrë një mesazh nga 23-vjeçari, i cili i kishte thënë se telefoni i vajzës ndodhej në një kafene.

Sipas versionit të 23-vjeçarit, ai pa vajzën të pësonte kriza ndërsa ndodheshin në dhomë dhe fillimisht mendoi se po bënte shaka. Kur kuptoi gjendjen serioze, ai mendoi të thërriste urgjencën, por të tjerët e penguan “për të mos u përfshirë në probleme”. Më pas, sipas dëshmive, ata e çuan vajzën në shesh dhe njoftuan ambulancën, duke u paraqitur si persona të panjohur.

23-vjeçari mohon përgjegjësinë përmes avokatit të tij dhe deklaron se vajza kishte porositur dhe paguar vetë për substancat. Varrimi i 19-vjeçares do të zhvillohet të premten në Argostoli, ndërsa tre të akuzuarit pritet të paraqiten para hetuesit për të dhënë dëshmitë e tyre.

Shoqata e shkollës së saj, 2nd GEL Argostoli, shprehu ngushëllimet për humbjen e parakohshme, duke e cilësuar vdekjen e saj si një dhimbje të thellë për komunitetin.

myrto greqi

Lini një Përgjigje