Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Marsel Liçajn, i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e heroinës drejt Danimarkës.
Ndërkohë, gjyqtarja Rudina Palloj konfirmoi masën “detyrim paraqitje” për Ermal Liçajn. Të dy akuzohen për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si edhe për “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas SPAK, hetimet lidhen me procedimin penal të koduar “Operacioni Bacchus”, i regjistruar nga autoritetet daneze që në gusht të vitit 2023. Në fokus të hetimit ishte një rrjet shqiptarësh dhe shtetasish të huaj që trafikonin heroinë drejt Danimarkës.
Hetimet zbuluan se aktiviteti kriminal është zhvilluar nga tetori 2023 deri në janar 2024, në të paktën shtatë episode të ndryshme. Heroina transportohej drejt Danimarkës përmes Suedisë dhe më pas përzihej me paracetamol dhe kafeinë për t’u hedhur në treg, me qëllim shtimin e fitimeve.
Deri tani, autoritetet daneze kanë identifikuar dhe proceduar tre persona, mes tyre dy shqiptarë dhe një shtetas të huaj, ndërsa në Shqipëri janë identifikuar edhe dy shtetas të tjerë të përfshirë në skemën kriminale.
SPAK thekson se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, në kuadër të operacionit të koduar “Bacchus”.
Lini një Përgjigje