
Prona që dyshohet se ishte marrë me forcë nga grupi kriminal, ishte e Isuf Jaçajt, i vrarë me tritol në 2025. Aty po ndërtohej pa leje një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik.
Zbardhen detaje të reja tronditëse nga hetimet për ndërtimin pa leje të zbuluar pak ditë më parë në Sarandë, i cili dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë trazuar qytetin gjatë muajve të fundit.
Sipas policisë, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas shpërthimit me tritol të automjetit të tij në tetor të vitit 2025.
Hetuesit dyshojnë se pas atentatit fshihet një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale në Sarandë. Sipas dyshimeve, prona ishte marrë me forcë nga ky grup, ndërsa aty po ndërtohej një beach bar që synohej të hapej gjatë sezonit turistik.
Në fokus të hetimeve janë edhe dyshimet për korrupsion brenda strukturave të policisë lokale. Për lejimin e ndërtimit pa leje dyshohet se janë dhënë ryshfete drejtuesve të policisë në Sarandë. Për këtë arsye, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Sarandës dhe tre vartës të tij, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën që lejoi vazhdimin e punimeve.
Gjithashtu, u pezullua edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje nga AMP gjatë hetimeve.
Emrat e policëve të arrestuar:
-Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
-Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
-Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
-Robert Çullaj, specialist zone
I pezulluar nga detyra:
-Shefi i e Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu
"Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.
Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.
Pas ndalimit të këtyre punonjësve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Policia e Shtetit falenderon, inkurajon dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të policisë, si dhe çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.
Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj cilindo që shpërdoron detyrën, besimin e qytetarëve dhe ligjin", njoftoi ditën e djeshme Policia.
Para laci