
Një tjetër aksident i rëndë është regjistruar në bregdetin shqiptar, kësaj radhe në Durrës. Një turist belg 21-vjeçar mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një aksidenti me mjet lundrues në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, rreth orës 20:00, shtetasi belg ka humbur kontrollin mbi një Jet Ski gjatë manovrave në det dhe është rrëzuar me forcë në ujë.
Fillimisht ai u transportua në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të dëmtimeve të rënda.
Policia ka shoqëruar pronarin e mjetit lundrues, për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa një grup hetimor i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin ligjor të saj.
Kujtojmë se mesditën e sotme në Gjipe një tjetër turist gjerman u dëmtua rëndë nga helikat e një skafi teksa po notonte në det.
“Një turist belg është plagosur pasditen e sotme në Durrës, në vendin e quajtur ‘Shkëmbi i Kavajës’, pas një aksidenti me Jet Ski. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes, ku shërbimi i Urgjencës së spitalit të Durrësit ka njoftuar policinë për ardhjen e pacientit. Pas njoftimit, shërbimet tona shkuan menjëherë në spital dhe nga hetimet e para rezulton se shtetasi H. K. dyshohet se gjatë manovrave ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka rënë në ujë. Si pasojë e përplasjes, i riu ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar urgjentisht nga Spitali i Durrësit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka shoqëruar pronarin S. Xh. të mjetit lundrues. “Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje