TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shkurt 2026, 13:45

Tentuan të vrisnin Marius Hasallën, por i plagosën hallën; dënohen me 50 vite burg porositësi dhe atentatori

Shkruar nga Pamfleti

Tentuan të vrisnin Marius Hasallën, por i plagosën hallën;

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë 50 vite burg në total për Laert Hasallën dhe Mariglen Matjanin, të shpallur fajtorë për “Vrasje në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e mbetur në tentativë, si edhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Çështja lidhet me atentatin e ndodhur më 30 mars 2023, ku objektiv i sulmit ishte Marius Hasalla. Sipas hetimeve, atentati u organizua në kuadër të një konflikti gjakmarrjeje. Nga sulmi mbeti e plagosur halla e tij, Bajame Seneja, e cila ndodhej në të njëjtin automjet me shënjestrën.

Sipas organit të akuzës, porositës i atentatit ishte Laert Hasalla, i cili dyshohet se kërkonte hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Romeo Hasalla. Ky i fundit ishte vrarë nga babai i Marius Hasallës.

Si ndodhi ngjarja:

Përplasja mes familjes Hasalla e ka zanafillën në një konflikt pronësie për rreth 2 hektarë tokë, që me kalimin e kohës u përshkallëzua në përplasje të armatosura. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tij, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën, si edhe dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën.

Pas asaj ngjarjeje u arrestua edhe Afrim Hasalla, por ai u lirua më pas, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua dhe mori përsipër autorësinë e krimit. Ai është dënuar me 35 vite burg.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 25 vite burgim, shtetasit L.H. dhe M.M. për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, gërma ‘ë’, 25 dhe 22 të Kodit Penal dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit dhe gjykimit mbi procedimin penal nr. 150/2023, me të pandehur shtetasit L. H. dhe M.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Fier arriti të provojë se i pandehuri L.H., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij R.H., ka bashkëpunuar me të pandehurin M.M., të cilit i ka porositur eleminimin fizik të shtetasit M.H. Në datë 30.03.2023, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Pisha”, fshati Garunjë, Lushnjë, i pandehuri M.M., pasi është informuar mbi targën e automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi R.H., ka siguruar armën e zjarrit e ka përgatitur vendin nga do shtinte, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të këtij mjeti. Si pasojë e sulmit ka mbetur e plagosur shtetasja B.S., pasagjere në vendin e parë të mjetit. Shtetasi M.H., shënjestra e sulmit, ka kuptuar sulmin dhe ka shtuar shpejtësinë duke bërë të mundur largimin e mjetit.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Lini një Përgjigje