TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Gusht 2024, 06:50

Shqipëria del blof, Dubai liron nga burgu të shumëkërkuarin Durim Bami

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria del blof, Dubai liron nga burgu të shumëkërkuarin
Durim Bami

Ky dështimi i radhës i autoriteteve shqiptare të cilët nuk kanë mundur ende të ekstradojnë askënd nga bosët e krimit që jetojnë qetësisht në parajsën penale dhe fiskale të Dubait.

Gazetari Artan Hoxha shkruan në rrjetet sociale se Durim Bami, i konsideruar si një nga njerëzit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, në kuadër të operacionit “Revanshi” ka fituar betejën me autoritetet shqiptare, të cilat kërkuan me ngulm ekstradimin ose deportimin e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

45-vjeçari nga Nikla u shpall në kërkim pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 15 maj të këtij viti. Gjate operacionit “Revanshi”, te kryer dy ditë më vonë, policia nuk mundi të arrestonte Durim Bamin, pasi ai rezultonte të ishte larguar nga vendi në drejtim të Gadishullit Arabik, përpara se të kryhej operacioni.

Më 12 maj, gjykata e Dubait, vendosi masën e sigurisë “60 ditë burg” për Durim Bamin në zbatim të kërkesës për ekstradim nga shteti shqiptar. Po atë ditë, Policia e Shtetit njoftoi se një nga njerëzit më të kërkuar në vend, Durim Bami ishte arrestuar në Dubai dhe do të ekstradohej shumë shpejt drejt Shqipërisë.

Hoxha thotë se arrestimit i Bamit u cilësua një sukses i madh dhe autoritetet shqiptare, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, të cilat premtuan se do të kryenin të gjitha lëvizjet për ta ekstraduar Bamin nga Dubai, qoftë edhe duke tentuar deportimin e tij.

Sipas është gazetarit ky dështimi i radhës i autoriteteve shqiptare dhe Interpolit, të cilët nuk kanë mundur ende të ekstradojnë askënd nga bosët e krimit që jetojnë qetësisht në parajsën penale dhe fiskale të Dubait.

Durim Bami, zyrtarisht është në akuzë në dosjen “Revanshi” për 4 vepra penale, duke filluar nga: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Bami u mbajt për rreth 40 ditë, sipas periudhës së parashikuar për paraburgimin nga autoritetet vendase, e më pas Gjykata ka vendosur ta lërë të lirë, duke mos e ekstraduar drejt vendit tonë.Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi më datë 15.05.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Anëtarët e grupeve kriminale kanë ofruar 1 milion euro për ‘kokën’ e Durim Bamit, ndërsa janë kërkuar vrasës me pagesë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pas megaoperacionit të SPAK, “Metamorfoza 2”, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, për personat e botës së krimit në Shqipëri, dolën detaje nga dosja se si vepronin grupet kriminale për të eliminuar kundërshtarët.

Sipas hetimeve të SPAK, Durim Bami kishte prishur balancat me krerët e grupeve, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Alekasndër Ndokës. Arben Ndoka mobilizoi asetet e tij pasurore dhe kontaktet e tij me personazhe të botës së krimit apo ligjit për ta eliminuar. Ka pasur atentate me eksploziv apo rasti kur po udhëtonte me “Range Rover”, ku ndiqej kudo që lëvizte, nga 16 persona.  U përdorën shumë mënyra për ta eliminuar Bamin, arritën deri aty sa të fusnin një “Helenë të Trojës”. Një vajzë që të hynte në shoqëri me të dhe të shërbente si informatore, por edhe në këtë rast nuk ia dolën, pasi atentati nuk u krye.

Kush është Durim Bami?

Durim Bami, një nga krerët e shtatë bandave të hetuara në dosjen voluminoze të mundësuar falë komunikimeve të kryera në aplikacionin SKY ECC, u arrestua së fundmi në Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare, bëri të ditur Policia e Shtetit. Bami, 45 vjeç, akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor të vitit 2020.

SPAK goditi shtatë grupe kriminale dhe ngriti akuza kundrejt pesëdhjetë të dyshuarve në maj të këtij viti, një nga goditjet më të gjera kundër strukturave të krimit të organizuar në vend, të cilat shtrinin aktivitetin e tyre në një pjesë të madhe të territorit, nga Shkodra në Lezhë, Mamurras, Fushë-Krujë, Rrëshen, Burrel, Tiranë, Shijak, Durrës, Fier e Vlorë, duke zbardhur tetëmbëdhjetë episode kriminale, hetim që u mundësua falë ndihmës së vendeve partnere si dhe institucioneve Eurojust dhe Europol.

Sipas dosjes, e cila përfshin aktivitete kriminale prej pak më shumë se një vit nga fillimi i vitit 2020 deri në fillimin e vitit 2021, Bami u vu nën shënjestër për t'u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Atentati ndaj Bamit në nëntor 2020 dështoi, gjë që solli plane nga ana e Bamit për të vrarë Arben Ndokën.

Bami, i cili u bë i njohur në vitin 2015 pasi ish-deputeti Tom Doshi e prezantoi atë në publik dhe para autoriteteve, si një vrasës me pagesë që kishte marrë porosi për ta vrarë Doshin por që kishte vendosur të mos e bënte.

Në dosjen e shtatë bandave, Bami paraqitet si një biznesmen i fuqishëm, i cili porosit dhe organizon vrasje, kultivon kanabis në sasi të stërmëdha dhe në një territor të gjerë nga bregdeti i Adriatikut deri në malësinë e Krujës si dhe korrupton policë të ndryshëm për çështje nga më të ndryshmet, nga lejimi i muzikës së lartë për lokalin e tij të parapëlqyer në Tiranë te mosrraportimi i krimeve apo vonesa e inspektimeve kundër kultivimit të drogës.

Ai paraqitet në një rast si agjent pronash të patundshme kur një person i paidentifikuar i kërkon ndihmë për të shitur një mjedis biznesi në Tiranë “për një nga çunat e Anglisë” me sipërfaqe 240 metra katrorë dhe më çmim 4 mijë euro për metër katrorë. Komunikimet e Bamit në Sky ECC sugjerojnë se ai e gjeti blerësin potencial me shpejtësi duke e prezantuar ofertën si shumë të mirë pasi, në zonën e Komunës së Parisit, ku gjendej prona për shitje, sipas Bamit, çmimet arrijnë në 7 mijë euro për metër katror.

Ekstradimet nga Dubai kanë rezultuar të vështira për Shqipërinë, gjë që e ka bërë këtë vend në Lindjen e Mesme destinacion të shumë figurave të krimit shqiptar.

Bami ishte një nga të paktët krerë të bandave i është arrestuar pasi krerët e tjerë, si Arben Ndoka vijojnë të mbeten në arrati./ Pamfleti

durim bami dubai

Lini një Përgjigje