Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Prokuroria e Peruxhias ka çuar në goditjen e një organizate të dyshuar narkotrafiku me përfshirje të shqiptarëve në rajonin e Umbrias.
Sipas autoriteteve italiane, shtatë persona janë arrestuar, mes tyre pesë shqiptarë, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Një pjesë e të arrestuarve janë transferuar në burgun lokal, një person është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa tre të dyshuar janë në kërkim.
Hetuesit bëjnë me dije se organizata dyshohet të jetë përgjegjëse për trafikun e sasive të mëdha të kokainës, e cila, sipas hetimeve, trafikohej kryesisht nga Shqipëria drejt Italisë dhe shpërndahej në zonën e Umbrias. Droga, sipas autoriteteve, furnizonte restorante dhe lokale nate.
Qendra vendimmarrëse e grupit dyshohet të ketë qenë qyteti i Folignos, ndërsa është konstatuar ekzistenca e një rrjeti të gjerë blerësish në disa zona të Italisë veriore dhe qendrore.
Sipas prokurorisë, promotori kryesor i skemës mbështetej nga bashkëshortja e tij e cila rezulton partnere biznesi me pronarin e një restoranti në Foligno si dhe nga dy bashkëpunëtorë të tjerë, një shqiptar dhe një italian. Aktiviteti tregtar i restorantit dyshohet se është përdorur si “fasadë” për të maskuar trafikun dhe për të riinvestuar të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Operacioni vjen një vit pas arrestimit të Giampaolo Coresi, pronar i një restoranti-piceri në Foligno, i cili u kap me rreth 65 kilogramë kokainë të fshehur në ambientet e restorantit, në një garazh dhe në banesën e tij. Aktualisht, 47-vjeçari është thirrur për të dalë në gjyq, ndërsa hetuesit besojnë se kanë arritur të rindërtojnë të gjithë rrjetin e trafikimit që lidhej me këtë çështje.
Gjatë hetimit aktual janë dokumentuar mbi 50 episode të dyshuara të lëvizjes së narkotikëve. Në total, sipas të dhënave të Guardia di Finanza-s, janë sekuestruar rreth 68 kilogramë kokainë, si dhe dy automjete të pajisura me funde të rreme për transportimin e drogës.
Hetimi, i nisur në vitin 2024 nga Seksioni i Policisë Ekonomike-Financiare (GICO), u zhvillua mbi bazën e gjetjeve të një çështjeje tjetër penale dhe përfshiu përgjime telefonike, përgjime mjedisore dhe përdorimin e sistemeve të vendndodhjes satelitore.

Sipas autoriteteve, anëtarët e dyshuar të organizatës përdornin “kriptofone” pajisje telefonike të pagjurmueshme me serverë të vendosur jashtë vendit dhe me mundësi kontrolli e fshirjeje nga distanca për të shmangur zbulimin. Gjithashtu, ata përdornin aplikacione të mesazheve të menjëhershme si FaceTime, Snapchat dhe Signal, pajisje për zbulimin e kamerave të fshehta, radio të teknologjisë së fundit si dhe automjete të modifikuara për fshehjen e lëndëve narkotike.
Autoritetet italiane theksojnë se hetimet janë ende në vijim, ndërsa personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Lini një Përgjigje