
Një efektiv i policisë së Tiranës dhe vëllai i tij, u dhunuan nga një grup personash në rrugën “Besim Alla” në kryeqytet.
Pas dhunës, policia njoftoi se ka arritur të arrestojë një prej autorëve, 29-vjeçarin Blerim Bulica, banues në Tiranë. Ndërkohë, katër personat e tjerë, që janë përfshirë në ngjarje dhe që kanë dhunuar policin dhe vëllanë e tij janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për Besart Bulica, 35 vjeç, Shaban Bulica, 25 vjeç, Bekim Bulica, 31 vjeç, dhe Benard Aliaj, 34 vjeç.
"Kapet dhe vihet në pranga pas një ndjekje intensive nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, 29-vjeçari që në bashkëpunim me 4 persona të tjerë të shpallur në kërkim, goditi ditën e sotme dy shtetas (njëri prej tyre punonjës Policie).
Sekuestrohen 3 jelekë antiplumb, veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale angleze, një shkop gome si ato të Policisë, dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së 29-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Besim Alla”, gjatë një konflikti disa persona kanë goditur shtetasit E. F., dhe B. F., dhe automjetin e tyre, dhe më pas janë larguar, kanë organizuar punën për kapjen e tyre dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Direction”.
Pas një ndjekje intensive nga shërbimet e Policisë, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasi Blerim Bulica, 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Besart Bulica 35 vjeç, Shaban Bulica 25 vjeç, Bekim Bulica 31 vjeç, Benard Aliaj 34 vjeç.
29-vjeçari, në bashkëpunim me 4 shtetasit e tjerë, rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, në rrugën “Besim Alla”, për motive të dobëta, janë konfliktuar me shtetasit E. F., (punonjës Policie) dhe B. F., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit të arrestuar, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan 3 jelekë antiplumb, veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale angleze, dhe një shkop gome si ato të Policisë, dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.", njfton policia.
Lini një Përgjigje