Florind Rama është arrestuar në Kolumbi pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar, ndërsa kërkohej nga Interpol. Ai dyshohet për përfshirje në një rast rrëmbimi, torture dhe vrasjeje të ndodhur në Marbella të Spanjës në vitin 2022. Hetimet tregojnë se ai kishte lidhje me rrjete kriminale në Evropë dhe dyshohet gjithashtu për kontakte me kartelin meksikan Sinaloa.
Shqiptari Florind Rama, i njohur edhe si Terziu Florín, është arrestuar në Kolumbi. Ai dyshohet për lidhje me rrjete të trafikut të drogës, përfshirë kartelin meksikan Sinaloa, raporton "El Tiempo".
Autoritetet kolumbiane e ndaluan në qytetin Pereira pas një ndjekjeje rreth 30-ditore, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një njoftim i kuq nga Interpol për përfshirje të dyshuar në një rast rrëmbimi, torture dhe vrasjeje të ndodhur në vitin 2022 në Marbella, Spanjë.
Hetimet tregojnë se Rama kishte ndërtuar një rrjet lëvizjesh në disa shtete evropiane dhe përdorte më shumë se një pasaportë për të shmangur identifikimin. Në momentin e arrestimit, ai tentoi të paraqitej si shtetas gjerman, por autoritetet kishin konfirmuar më herët identitetin dhe origjinën e tij shqiptare.
Sipas dosjeve hetimore, ai lidhet me struktura kriminale që veprojnë në Costa del Sol, një zonë e njohur për aktivitet të grupeve ndërkombëtare të narkotikëve. Në të njëjtën kohë, hetuesit po verifikojnë lidhje të mundshme me organizata kriminale në Amerikën Latine, përfshirë kartelin Sinaloa dhe grupin Jalisco.
Rasti për të cilin ishte në kërkim lidhet me vrasjen e një shtetasi serb në Marbella më 30 qershor 2022. Viktima u gjet me shenja torture dhe plagë nga armë zjarri, ndërsa hetimet spanjolle çuan në lëshimin e urdhrave të arrestit ndërkombëtar.
Ngjarja daton saktësisht më 30 qershor 2022, në lagjen Golden Beach në Marbela, ku u gjet trupi i Aleksandar K.
Sipas dosjeve gjyqësore në Evropë, viktima kishte lidhje me rrjete të trafikut të drogës dhe kishte bashkëpunuar si informator me autoritetet gjermane. Njohuritë e tij mbi rrjetet kriminale në Evropë dhe lidhjet me organizata në Amerikën Latine e bënin një figurë kyçe në këto struktura.
Në këtë rrjet, Florind Rama lidhet me organizata kriminale me origjinë ballkanike, përfshirë klane që veprojnë në Mal të Zi, Serbi dhe Kroaci, si dhe kontakte në Gjermani.
Gjatë hetimeve u konstatua se autorët e vrasjes lëviznin me automjete specifike, përfshirë një Porsche Cayenne dhe një Volkswagen, si dhe u gjetën përputhje balistike që lidhin armën e përdorur me krime të tjera në territorin gjerman.
Prania e tij në Pereira, ku përpiqej të fshihej, hapi linja të reja hetimi. Autoritetet po analizojnë lidhjet e mundshme me rrjete lokale të narko-trafikut, përfshirë struktura në Eje Cafetero, si dhe kontakte me organizata ndërkombëtare.
Operacioni për arrestimin e Ramës u zhvillua në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare, përfshirë Europol dhe autoritete amerikane.
Aktualisht, ai pritet të përballet me procedurat e ekstradimit drejt Evropës, ndërsa hetimet mbi rrjetin e tij dhe kontaktet në Kolumbi vijojnë.
Lini një Përgjigje