Kreu i SPAK, Klodian Braho tha se janë sekuestruar plot 1 milion euro cash nga operacioni.
Drejtoria antimafia e Barit ka publikuar pamjet nga aksioni në bashkëpunim me SPAK ndaj një grupi të strukturuar kriminal të akuzuar për pastrim parash si dhe për vrasje.
Në pamjet e publikuara nga struktura autoritetet italiane tregohen mijëra eurot e sekuestruara nga antimafia e Barit, shumë e cila, kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, tha se arrin në rreth 1 milionë euro.
Në videot e publikuara vërehen gjithashtu rrënojat ku u gjet trupi gjysmë i djegur i parukierit 26-vjeçar italian, Francesco Diviesti, vrasje të cilët dyshohet se e ka kryer i njëjti grup kriminal në maj të vitit të kaluar.
Ndërkohë SPAK në Shqipëri ka vënë në sekuestro pasuri të luajtshme e të paluajtshme të familjarëve e bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, figurat kryesore të grupit kriminal të goditur nga SPAK dhe Antimafia e Barit, me veprimtari në fushën e pastrimit të parave, të cilat dyshohet se e kanë burimin nga trafiku i drogës dhe dërgoheshin nga Italia në Shqipëri.
Në total janë sekuestruar 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare dhe 680.595 euro cash. Këto të fundit të kapura në Muriqan në vitin 2024 teksa po tentohej futja e tyre në Shqipëri nga Mali i Zi me automjet nga Lefter Nelaj.
Pasuri në pronësi të Igli Kamberit; Subjekti ‘Igli Kamberi’ me veprimtari ‘Menzë-katering, restorante dhe shërbim ushqimor i lëvizshëm”, me seli në Kashar.
Në pronësi të gruas së Kamberit, Nevila Kamberi dhe të mamasë së saj Dituri Buzi, janë sekuestruar 2 llogari bankare ndërsa babait të saj, Fatoz Buzit, i është sekuestruar biznesi ‘Fermer Fatos Buzi’ me veprimtari ‘Bujqësi-Prodhim Fruta-perime’.
Një prej personave të arrestuar nga operacioni sot është dhe Ergys Kastrati e bashkëshortja e tij Desmira Cecos. Kësaj të fundit i janë sekuestruar 2 llogari bankare.
Pasuri të shumta i janë sekuestruar Bardhok Gjergji. Ende është e paqartë lidhja e tij me grupin. Gjergjit i është bllokuar veprimtaria e biznesit ‘AUTO REND & SELL-ALBANIA sh.p.k., për dhënie me qira automjetesh, shit-blerje, import e eksport. 5 automjete luksoze e 1 llogari bankare.
Po ashtu janë vënë në sekuestro dhe pasuritë (llogari bankare dhe automjete) e 3 personave të tjerë, Saimir Pirra, Sokol Fusha dhe Edi Brahaj, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit.
Lini një Përgjigje