TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Maj 2026, 22:03

Njëri polic, tjetri biznesmen/ Operacioni në Sarandë, zbardhen emrat e personave të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti
Njëri polic, tjetri biznesmen/ Operacioni në Sarandë, zbardhen
Foto ilustruese

Janë zbardhur emrat e parë të personave të arrestuar në kuadër të megaoperacionit kundër ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit, ku në fokus të hetimit janë efektivë policie, biznesmenë, ndërtues dhe zyrtarë lokalë.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se deri tani në pranga kanë rënë Kristofor Shkrepa, me detyrë specialist policie në zonën e Ksamilit, si edhe biznesmeni Alqi Papa, pronar i hotel “Oasis” në Sarandë.

Ndërkohë, ndaj Kastriot Satkës është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa masa sigurie janë vendosur edhe për biznesmenët Arjola Dhrami dhe Xhaferr Bajo.

Sipas hetimeve paraprake, emrat e tyre lidhen me një objekt ndërtimi për të cilin më herët u arrestuan katër efektivë të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe ish-shefi i Policisë së Sarandës.

Në dosjen hetimore përfshihet edhe ndërtuesi Merdar Koshi, i cili dyshohet se ka ndërtuar dy kate pa leje në qendër të Sarandës. Hetuesit po verifikojnë nëse ndërtimet janë toleruar apo favorizuar nga punonjës të policisë dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse për kontrollin e territorit.

Burime bëjnë me dije se Prokuroria ka lëshuar mbi dhjetë urdhër-arreste për efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë, biznesmenë dhe persona të tjerë të lidhur me aktivitetin e paligjshëm të ndërtimeve në vijën bregdetare.

Operacioni po zhvillohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në banesa dhe ambiente biznesi në Sarandë dhe Ksamil.

Hetimi është ngritur mbi dyshime për shpërdorim detyre, lejim të ndërtimeve pa leje, moskallëzim krimi dhe bashkëpunim mes zyrtarëve publikë dhe subjekteve private që operojnë në zonat turistike të jugut.

aksion sarande policia

Lini një Përgjigje