TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Maj 2026, 17:34

Tonelata kokainë nga Shqipëria, përfundon në gjyq djali i bosit të mafies italiane

Shkruar nga Pamfleti
Tonelata kokainë nga Shqipëria, përfundon në gjyq djali i
Foto ilustruese

45-vjeçari Vincenzo Bruno, i arrestuar në nëntor 2025 nga Guardia di Finanza në portin e Brindisit, do të dalë në gjyq në Itali për akuza që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria.

Hetimi u zhvillua nga Drejtoria Antimafia e Brescias dhe përqendrohet te një organizatë e dyshuar transnacionale që trafikonte sasi të mëdha droge nga Shqipëria drejt provincave të ndryshme italiane, përfshirë Leçen.

Sipas prokurorisë italiane, grupi kishte ngritur një rrjet logjistik mes Shqipërisë dhe Italisë për shpërndarjen e kokainës.

Hetimi, i koordinuar nga prokurorja Roberta Panico, përshkruan një strukturë kriminale ku pjesa më e madhe e të dyshuarve janë shtetas shqiptarë.

Bruno, i lindur në Mesagne dhe banues në Leçe, akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale të trafikut të drogës. Sipas hetuesve, ai konsiderohej një nga përgjegjësit e bazës së grupit në Leçe.

Prokuroria pretendon se ai dhe një person tjetër blinin sasi të mëdha kokaine nga organizata dhe më pas kujdeseshin për shpërndarjen e saj në tregun lokal.

Emri i Bruno-s shfaqet edhe në disa episode të trafikut të kokainës mes nëntorit 2020 dhe janarit 2021, periudhë gjatë së cilës në Leçe mbërritën rreth 137 kilogramë kokainë.

Mediat italiane raportojnë se Bruno është djali i Ciro Bruno-s, një emër historik i organizatës kriminale Sacra Corona Unita në Torre Santa Susanna, megjithëse ky i fundit nuk ka lidhje me hetimin aktual.

Pas mbylljes së hetimeve paraprake, autoritetet italiane vendosën gjykim të menjëhershëm për disa nga të dyshuarit, përfshirë Bruno-n.

Procesi ndaj tij do të nisë më 17 shtator në Gjykatën e Brescias.

itali shqiperi droge

Lini një Përgjigje