Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në Tiranë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur 6 fëmijë të mitur dhe një grua.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:05 në zonën e Vaqarrit, ku sipas informacioneve paraprake një automjet me drejtuese shtetasen Xh. Shkreta është përplasur me një tjetër automjet që drejtohej nga shtetasi A. Peka.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar gjashtë fëmijë të moshave nga 6 deri në 10 vjeç, të cilët ndodheshin si pasagjerë në automjetin e drejtuar nga Shkreta. E plagosur ka mbetur edhe vetë drejtuesja e mjetit.
Burime paraprake bëjnë me dije se të miturit po ktheheshin nga kursi i sportit në momentin kur ndodhi aksidenti.
Menjëherë pas ngjarjes, ambulancat transportuan të plagosurit drejt spitalit, ku po marrin ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, sipas mjekëve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes mbërriti policia dhe grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Lini një Përgjigje