Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e 200 mijë eurove në zonën e ish bllokut më datë 4 tetor.
Falë hetimeve janë shpallur në kërkim 4 shtetas gjeorgjianë, për të cilët po punohet kapja e tyre.
Ndërkohë, është bërë e mundur sekuestrimi i një motomjeti, si dhe po vijon puna për gjetjen e automjetit e cila u përdor në kryerjen e kësaj ngjarjeve.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim gjeorgjanët: Levan kiria, Tengiz Natchkebia, Noshrevani Kutalia dhe Yousuf Bozkurt.
'Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 04.10.2024, ku në zonën e ish-Bllokut, disa shtetas kanë vjedhur një shumë parash në një taksi, kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Taxi".
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë shtetasit L. K., 30 vjeç, T. N., 36 vjeç, N. K., 30 vjeç, dhe Y. B., 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje.', njofton policia.
Siç shihet nga pamjet e publikuara në media, dy prej autorëve janë larguar me një një motor. Njëri prej tyre është duke mbajtur në shpinë një çantë dhe duke komunikuar në telefon, ndërkohë që të dy janë të pajisur me skafandër.Dy autorët e tjerë kanë qenë duke përdorur automjetin që po kërkohet.
Taksisti ra pre e grabitjes teksa ishte duke parkuar automjetin e tij në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, autorët thyen xhamin e pasëm të taksisë dhe morën një qese me rreth 200 mijë euro.
Taksisti punonte gjithashtu si një korrier i një pike të këmbimit valutor dhe paratë i mori nga ex-changi për t’i dërguar më pas në bankë.
Policia dhe grupi hetimor kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Lini një Përgjigje