
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën e Balldrenit për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të atentatit të ndodhur mesditën e sotme në Lezhë, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, dhe Gentjana Mujeci, 32 vjeçe.
Sipas burimeve hetimore, mësohet se çifti po lëvizte me automjetin e tyre tip “Audi” në aksin Balldren–Torovicë, kur janë qëlluar me breshëri plumbash nga persona të paidentifikuar, të cilët dyshohet se u kishin zënë pritë.
Si pasojë e të shtënave, drejtuesi i mjetit, Kreshnik Mujeci, i cili konsiderohet edhe si objektivi kryesor, ndërroi jetë në vendngjaje, ndërsa viktimë mbeti edhe bashkëshortja e tij.
Nga të dhënat paraprake, mësohet se ata po ktheheshin drejt banesës së tyre, e cila ndodhet rreth 30 minuta larg vendit të ngjarjes. Pas kryerjes së sulmit, autorët janë larguar pa lënë gjurmë.
Në kuadër të hetimeve, policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, kryesisht në segmentin që lidh Balldrenin me Malin e Jushit në Shkodër. Ndërkohë, pas këqyrjes së vendngjarjes, automjeti i viktimave është dërguar në Policinë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Motivi i atentatit mbetet ende i paqartë, ndërsa 39-vjeçari rezulton i njohur për drejtësinë. Në vitin 2017 ai u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Genc Mhillajt në Malin e Jushit, por më pas Gjykata e Shkodrës shpalli të pafajshëm Kreshnik, Jozef dhe Lin Mujecin për mungesë provash.
Hetuesit janë përqendruar në disa pista, ku kryesorja mbetet ajo e gjakmarrjes, pa përjashtuar edhe konflikte të tjera të mundshme nga e kaluara.
Lini një Përgjigje