TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Prill 2026, 17:30

Atentati në Lezhë, çifti Mujeci dyshohet se u ndoq nga autorët pasi doli nga lokali

Shkruar nga Pamfleti
Atentati në Lezhë, çifti Mujeci dyshohet se u ndoq nga
Gentiana dhe Kreshnik

Një atentat i rëndë me armë zjarri ndodhi mesditën e sotme në Lezhë, ku mbetën të vrarë një çift bashkëshortësh Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, prindër të 4 fëmijëve. Viktimat janë qëlluar me mbi 30 plumba teksa udhëtonin me automjetin e tyre tip “Audi Q7” në aksin Balldren–Torrovicë.

Sipas të dhënave nga terreni, sulmi ka ndodhur në momentin kur çifti ishte në lëvizje, duke mos u dhënë asnjë mundësi reagimi. Bëhet me dije se, ata kishin dalë pak më herët nga një lokal në autostradën Lezhë–Shkodër dhe po ktheheshin drejt banesës së tyre, e cila ndodhet rreth 30 minuta larg vendit të ngjarjes.

Raportohet gjithashtu se viktima nuk ruhej dhe lëvizte zakonisht i shoqëruar nga bashkëshortja. Nga dëshmitë paraprake dyshohet se autorët kanë vepruar në mënyrë të organizuar, ndërsa nuk përjashtohet përdorimi i më shumë se një automjeti për realizimin dhe largimin pas sulmit.

Policia ka rrethuar zonën dhe po vijon kontrollet intensive për kapjen e autorëve, ndërsa hetimet janë përqendruar në zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit.

"Rreth orës 14:50, në dalje të fshatit Balldren, në rrugën Balldren–Torrovicë, në rrethana ende të paqarta dhe gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe.

Si pasojë e të shtënave, të dy kanë humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë mbërritur në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve", thuhet në njoftimin e policisë.

Lini një Përgjigje