TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Prill 2026, 16:30

Atentati me dy viktima në Lezhë, policia jep detaje: Çifti ndërroi jetë në vendngjarje, autorët ende në arrati

Shkruar nga Pamfleti
Atentati me dy viktima në Lezhë, policia jep detaje: Çifti
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia e Lezhës ka reaguar zyrtarisht lidhur me atentatin me armë zjarri të ndodhur mesditën e sotme në Lezhë, ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshorëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Sipas njoftimit paraprak, mësohet se sot rreth orës 14:50, në dalje të fshatit Balldren, në rrugën Balldren–Torrovicë, në rrethana ende të paqarta dhe gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe. Si pasojë e sulmit, të dy kanë ndërruar jetë në vendngjarje.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollet në zonë për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sigurimin dhe fiksimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e autorëve.

Sa i përket pistave të hetimit, paraprakisht dyshohet se krimi ka ndodhur për hakmarrje, duke pasur parasysh se Kreshnik Mujeci është akuzuar për vrasjen e Genc Mhillaj në vitin 2016.

Megjithatë, rezulton se Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, me vendim të datës 27 nëntor 2018, e ka shpallur të pafajshëm Kreshnik dhe Jozef Mujecin për këtë ngjarje. Më pas, edhe Gjykata e Apelit në Shkodër, më 6 nëntor 2019, ka lënë në fuqi këtë vendim, duke mos pranuar ankimin e prokurorisë.

Ndërsa, Gjykata e Lartë më 31 tetor 2024 ka vendosur kthimin e çështjes për rigjykim. Në këto rrethana, dy vëllezërit Mujeci dhe kushëriri i tyre nuk janë dënuar asnjëherë për vrasjen e Mhillajt.

Lini një Përgjigje