Ngjarja vijon të mbetet një mister, pasi nga të dhënat e deritanishme, asnjë nga dëshmitë e marra nga policia nuk ka hedhur dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur...
Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në fshatin Rrillë të Lezhës, ku mbrëmjen e së dielës u qëllua me breshëri automatike ndaj një berberane. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur Sokol Daci, pronari i berberanës, por që nga të dhënat paraprake dyshohet se nuk ishte objektiv i atentatit.
Sipas të dhënave paraprake, në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona që pasi zbritën nga një automjet qëlluan me breshëri në drejtim të berberanës. Nga raportimet mësohet se në vendin ku u plagos 30-vjeçari Sokol Daci ka qenë dhe një punonjës policie, të cilit i është marrë dëshmia lidhur me atë që ka ndodhur. Sipas raportimeve, polici ka deklaruar se nuk i ka parë autorët, një dëshmi që nuk e ndihmon grupin hetimor.
Grupi hetimor ka ngritur dyshimet se atentati i organizuar nuk ka pasur të bëjë me të plagosurin Daci, ndërsa objektiv mund të ketë qenë një prej personave që ishin në berberane, mes të cilëve edhe një pjesëtar i familjes Nikulaj.
Madje sipas raportimeve, ka dyshime se ka pasur edhe shkëmbim zjarri, mes autorëve të atentatit dhe një prej personave që ndodhej brenda berberanës. Ky dyshim ka lindur pasi janë evidentuar qitje nga brenda jashtë, edhe pse do të jetë ekspertiza që do të përcatojë se sa armë janë përdorur në ngjarje.
Gjithashtu ka dyshime se përveç 30-vjeçarit Daci, i plagosur ka mbetur edhe një tjetër person, brenda berberanes, por nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Gjithsesi këto mbeten dyshime, pasi nga verifikimet rezulton se në berberane ka pasur të paktën 5 persona.
Policia ka mundur të marrë pamje nga disa kamera sigurie, ndërsa hetimet janë përqëndruar në disa pista.
Ngjarja vijon të mbetet një mister, pasi nga të dhënat e deritanishme, asnjë nga dëshmitë e marra nga policia nuk ka hedhur dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur.
Familja Nikulaj është goditur në atentat edhe më parë, ku viktimë ka mbetur edhe Ardian Nikulaj. Madje kjo ngjarje bëri një jehonë ndërkombnëtare, pasi si ekzekutor u përdor një shtetas portugez dhe u ngritën dyshime se për krimin janë paguar mbi 1 mln paund.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. i plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje