
Një atentat me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së dielës në qendër të fshatit Rrilë (Lezhë), ku ndaj një berberine u qëllua me breshëri plumbash, ndërsa i plagosur mbeti Sokol Daci 30 vjeç. Ky i fundit rezulton edhe pronari i berberanës, e cila u shënjestrua nga të paktën 20-30 plumba.
I riu fillimisht ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Lezhës dhe më pas është transportuar drejt spitalit të Traumës për ndihmë të specializuar, pasi në trup kishte 3 plumba. Sipas raportimeve, gjendja shëndetësore e të riut ishte e stabilizuar, ndërsa plumbat i ka marrë në shpatull, këmbë dhe bark.
Dyshimet janë se objektiv i këtij atentati ka qenë një tjetër person që ndodhej në berberine dhe jo 30-vjeçari.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Lezhës nuk jepen shumë detaje lidhur me ngjarjen, ndërsa dyshimet janë se në këtë atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Ata janë larguar menjëherë pas ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Sipas raportimeve, ekspertiza do të përcaktojë nëse plumbat janë qëlluar vetëm nga një armë, apo ka pasur disa të tilla në përdorim, ndërkohë që kanë nisur verifikimet për personin tjetër që dyshohet se ndodhej në berberanë në momentin e atentatit.
Sipas raportimeve, policia po heton në disa pista, ndërkohë që verifikimi i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes do të hedhë më shumë dritë mbi dinamikën.
Gjithashtu pritet dëshmia e të plagosurit për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen, ndërsa policia ka nisur mbledhjen e pamjeve filmike të siguruara nga disa kamera private sigurie.
Reagimi i policisë:
Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje