Në momentin e ngjarjes i pranishëm në berberhanen e sulmuar në fshatin Rrilë, ndodhej edhe një oficer policie.Oficeri i Policisë ka dëshmuar para hetuesve duke thënë se ndodhej aty rastësisht dhe ka pranuar se kur ka ndodhur sulmi, ka qëlluar me armë zjarri me qëllim për të neutralizuar autorët.
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i djeshëm në Lezhë, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci, pronari i berberhanes.
Policia dyshon se shënjestra kryesore e sulmit mbrëmjen e kaluar, ka qenë 21-vjeçari Merando Nikulaj.
I riu është nipi i Ardian Nikulajt, i cili u vra në prill të vitit 2023 në ambientet e lokalit të tij. Burime hetimore bëjnë me dije se gjatë verës së kaluar, Merando Nikulaj dyshohet të ketë qenë i përfshirë në një konflikt me një grup të rinjsh në Shëngjin.
Nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se kanë qenë 7 persona dhe dy prej tyre kanë dalë dhe qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Si pasojë e të shtënave, mbeti i plagosur Sokol Daci, 30 vjeç, pronari i berberhanes ku ndodhi atentati. Ai u dërgua për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor është rikthyer në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova shtesë, përfshirë gjurmë gjaku që do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së. Ndërkohë, katër plumba kanë goditur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar në to.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se autorët kanë lëvizur me dy automjete, një Audi dhe një Volkswagen Passat.
Në momentin e ngjarjes i pranishëm në berberhanen e sulmuar në fshatin Rrilë, ndodhej edhe një oficer policie.Oficeri i Policisë ka dëshmuar para hetuesve duke thënë se ndodhej aty rastësisht dhe ka pranuar se kur ka ndodhur sulmi, ka qëlluar me armë zjarri me qëllim për të neutralizuar autorët.
Si ndodhi vrasja e Ardian Nikulaj ?
Tre vite më parë, biznesmeni Ardian Nikulaj mbeti i vrarë në lokalin e tij në Shëngjin.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje historinë e gjatë të gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, e cila kulmoi në vitin 2023 me vrasjen e Ardian Nikulajt në hollin e biznesit të tij.
Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri nga Ruben Saraiva, i cili u fut në ambient i maskuar si shpërndarës pakosh dhe e qëlloi për vdekje, duke i marrë jetën në vend. Hetimet zbuluan se vrasja ishte porositur dhe financuar nga Edmond Haxhia, i afërm i familjes Lekstakaj, me ndihmën e disa shtetasve britanikë, të cilët ndodheshin jashtë vendit.
Historia e hakmarrjes nisi në vitin 1996, në një pikë karburanti në dalje të Lezhës, për një pagesë prej vetëm 5 mijë lekësh të vjetra. Pëllumb Nikulaj dhe Fran Qulaj, punonjës në karburant, u përplasën me një anëtar të familjes Lekstakaj për pagesën e karburantit. Pak minuta më vonë, një i armatosur u kthye dhe qëlloi, duke vrarë vëllain e Pëllumb Nikulajt dhe Fran Qulajn. Më pas, më 29 shtator 1997, në Balldre të Lezhës, u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, ndërsa më 30 mars 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos Pjetër Lekstakaj. Dëshmitar i ngjarjeve ishte Klodian Lekstakaj, djali i Gjovalin Lekstakajt, i cili u largua në Angli dhe kërkoi statusin e dëshmitarit të mbrojtur, por iu mohua nga autoritetet shqiptare. Në mars të vitit 1999, dy anëtarë të familjes Lekstakaj, Gjovalini dhe Pjetri, qëlluan me armë ndaj Nikoll Nikulajt, xhaxhait të Ardian Nikulajt, i vrarë më vonë, ndërsa Nikoll Nikulaj u kundërpërgjigj me pushkë gjuetie, duke vrarë Gjovalinin dhe plagosur Pjetrin, i cili u largua në Birmingham, Mbretëria e Bashkuar. Konflikti arriti kulmin në vitin 2023, kur Edmond Haxhia, i afërm i Lekstakajve dhe banues në Britani, organizoi vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj alias Marku në Shëngjin të Lezhës.
Lini një Përgjigje