Saimir Kushova rezulton i dënuar me 15 vite heqje lirie në Norvegji nën akuzën e trafikut të drogës. Ai u arrestua në 13 prill 2023 në Husnes të Norvegjisë së bashkë me 5 polumbarë të tjerë shqiptarë, mes tyre edhe një femër.
Gjykata e Sarandës ka shpallur në kërkim 47-vjeçarin Saimir Kushova, i cili akuzohet për trafik droge.
Një zhytës profesionist i dënuar për trafik droge prej më shumë se një viti me burg në Norvegji, ndërsa në Sarandë po hetohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” pas vdekjes së një 29-vjeçareje angleze gjatë zhytjes me ekspeditën e tij.
Saimir Kushova, baba i tre fëmijëve, drejtonte në Sarandë ekspeditën “Saranda Diving Center”, një ekspeditë private zhytësish, e angazhuar edhe në nisma sociale në qytet, kryesisht për pastrimin e detit. Në 19 shtator 2022 në Gjirin e Sarandës, ndërroi jetë teksa zhytej me ekspeditën e Kushovës, 29-vjecarja britanike Rebecca Gannon.
Saimir Kushova u arrestua pas vdekjes së britanikes, por u la i lirë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “garancia pasurore në vlerën 1.5 milionë lekë të reja” dhe “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, çdo javë, ditën e hënë ora 13:00”.
Por pas disa kohësh, 47-vjeçari filloi të mos zbatonte masën e sigurisë gjë që detyroi Prokuroren Alba Dhima të kërkonte konfiskimin e shumës 1.5 milionë lekë të reja dhe kalimin e saj në favor të shtetit. Ndërsa ditën e djeshme gjyqtari Fatmir Ndreu shpalli në kërkim Saimir Kushovën në një seancë të posaçme.
Saimir Kushova rezulton i dënuar me 15 vite heqje lirie në Norvegji nën akuzën e trafikut të drogës. Ai u arrestua në 13 prill 2023 në Husnes të Norvegjisë së bashkë me 5 polumbarë të tjerë shqiptarë, mes tyre edhe një femër. Ata ishin rekrutuar për të nxjerrë katër çanta nga anija “Nordloire” e cila vinte nga Brazili.
Në çanta ndodheshin plot 150 kg kokainë të cilat u sekuestruan nga policia. Policia norvegjeze filmoi grupin e shqiptarëve gjatë lëvizjes së tyre në zonë dhe ndërhyri sapo u nxor kokaina. Pas arrestimit të të dyshuarve, policia sekuestroi gjithsej 8 telefona. Të dyshuarit i përdorën për komunikim të koduar në aplikacionet “Signal” dhe “Session”.


Nga 6 të akuzuarit, njëri prej tyre ndërroi jetë në burg. Në Qershor të këtij viti, 4 persona të moshës nga 26-47 vjeç u dënuan nga 10 vite e 4 muaj deri në 15 vite burg, ndërsa 33-vjeçarja me 4 vite e 9 muaj. Gjatë procesit Kushova mohoi akuzat, ndërsa disa të pandehur të tjerë pranuan akuzën. Disa prej tyre deklaruan se mendonin që do të nxirrnin hashash e jo kokainë nga anija. Disa të pandehur pretenduan gjithashtu se familjarët e tyre ishin kërcënuar dhe se çuditërisht një avokat italian kishte kontaktuar familjet e tyre në Shqipëri për të marrë në dorë çështjen duke e quajtur edhe këtë një formë kërcënimi.
Media norvegjeze "Nyheter" shkruan se gjatë inspektimit në qelinë e Saimir Kushovës, policia norvegjeze gjeti këtë tekst të shkruar në mur: “Tel i zi s’është toni. Erdhëm për pushime. Është hera e parë që i shoh se dinim se ku do na çonin. Na çuan me zor nuk na kërcënuan po kuptova që nëse do kundërshtonim do na bënin keq. Ne s’donim të zhyteshim natën. S’kemi fol për lekë asnjëherë. Na paguan udhëtimin. U lidhëm me një agjenci biletash. (Pjesa tjetër e paqartë)”. Policia nuk arriti të kuptonte se për kë ishte drejtuar ky mesazh i shkruar në qeli.
Lini një Përgjigje