TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Prill 2026, 13:46

I akuzuar për nxjerrje të sekretit shtetëror, GJKKO lë në fuqi dënimin për Jurgis Çyrbjan

Shkruar nga Pamfleti

I akuzuar për nxjerrje të sekretit shtetëror, GJKKO lë

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi dënimet me burg për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, si dhe për Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin.

Sipas vendimit, Çyrbja është dënuar me 3 vite burg, dënim që është ulur në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të eksponentëve të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Ndërkohë, Altin Hajri është dënuar me 3 vite burg, ndërsa Ahmet Masha me 2 vite. 

Ish-deputeti u arrestua më 20 tetor 2024 dhe u lirua nga paraburgimi më 21 shkurt 2026, pasi kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit në masë sigurie. Ky dënim mbetet thjesht formal, pasi ish-deputeti nuk do të vuajë asnjë ditë burg.

Nga hetimet ka rezultuar se Çyrbja kishte lidhje me Altin Hajrin, një emër i njohur i botës së krimit dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilit i kishte premtuar ndihmë përballë drejtësisë në këmbim të mbështetjes elektorale. 

Sipas dosjes hetimore, Çyrbja, Hajri dhe Masha kishin bashkëpunuar përmes aplikacioneve të koduara “Sky ECC” dhe “Matrix”, duke koordinuar aktivitete të paligjshme. Në të paktën 8 episode, gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, ish-deputeti dyshohet se ka shpërndarë të dhëna nga sistemi TIMS dhe informacione të klasifikuara të Policisë së Shtetit.

Këto të dhëna lidhen me operacione policore në nivel kombëtar dhe në Qarkun e Durrësit, përfshirë plane për kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e grupeve të krimit të organizuar.

gjkko ish-deputeti jurgis Çurbja

Lini një Përgjigje