
Një operacion ndërkombëtar i shtrirë në 35 shtete kundër shfrytëzimit seksual të të miturve në internet, ka nxjerrë zbuluar edhe një 29-vjeçar shqiptar. Mësohet se deri më tani janë arrestuar 79 persona.
I riu, banues në Tiranë është proceduar penalisht pasi u identifikua nga policia si person i dyshuar si implikuar në këtë veprimtari kriminale. 29-vjeçari me inicialet M.Z akuzohet për veprën penale “Pornografia” me të mitur.
Gjatë kontrolleve të kryera në banesën e 29-vjeçarit, u sekuestruan në funksion të hetimit, 3 celularë dhe 1 laptop. Paisjet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime kompjuterike të mëtejshme.
Operacioni ndërkombëtar “Stream” u drejtua nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe nga Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), dhe u mbështet nga EUROPOL.
Nga prilli i vitit 2022 deri në mars të viti 2025, në platformë ishin regjistruar gjithsej 1.8 milionë përdorues. Më 11 mars 2025, serveri që përmbante rreth 72 000 video u sekuestrua nga autoritetet gjermane dhe holandeze. Hetimi ka identifikuar pothuajse 1 400 të dyshuar në mbarë botën. Deri tani, 79 persona janë arrestuar për shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM). Disa nga të arrestuarit jo vetëm që ngarkonin dhe shikonin video, por edhe abuzonin me fëmijët.
Hetimi filloi në vitin 2022 dhe kulmoi me një seri aksionesh nga 10 deri më 23 mars 2025, duke sjellë këto rezultate:
-1 393 të dyshuar të identifikuar
-79 të arrestuar
-Mbi 3 000 pajisje elektronike të sekuestruara
-39 fëmijë të shpëtuar
-Mbi 91 000 video
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore të Gjermanisë dhe EUROPOL, se dhe një shtetas shqiptar ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale, i ka referuar materialet procedurale Prokurorisë së Tiranës, e cila ka regjistruar procedim për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, u mundësua identifikimi i të dyshuarit, shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e kontrolleve në banesën e 29-vjeçarit, ku u sekuestruan në funksion të hetimit, 3 celularë dhe 1 laptop. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, në vendin tonë”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje