
Gëzime Sula, nëna e 22-vjeçares Ilaria Sula që u masakrua me thikë nga ish i dashuri filipinez në Romë, ka rrëfyer se e kishte kuptuar që mesazhet që kishte marrë nga telefoni i së bijës kur u zhduk, nuk i kishte shkruar ajo.
Sipas saj, e bija ishte mësuar që të bënte video thirrje dhe të mos përdorte mesazhe të thjeshta.
"Menjëherë e kuptova se diçka nuk shkonte. Më pas fola me miqtë që jetonin me të dhe së bashku me bashkëshortin vendosëm të denoncojmë menjëherë zhdukjen e saj, falë edhe inspektorit Moreno Fernandez që më rekomandoi një mik nga Terni. E di që hetimet çuan menjëherë te djali me të cilin Ilaria kishte dalë në të kaluarën, por ne dimë pak për të”, ka thënë nëna, raporton Il Messagero.
Në shok është edhe vëllai 20-vjeçar, i cili ka treguar se motra dukej e qetë dhe se nuk i kishte treguar për asnjë problem. Për ish të dashurin që e vrau, i vëllai thotë se e njihte.
“Me Ilaria-n fola për herë të fundit dy javë më parë, sepse ajo erdhi të na vizitojë në Terni. Ajo ishte e qetë dhe nuk më tregoi për asnjë problem, pastaj vetëm mesazhe, por nuk jam e sigurt që i kishte shkruar. E njihja, ishin bashkë prej një viti, por ishin ndarë prej kohësh", ka rrëfyer 20-vjeçari.
Si ndodhi ngjarja tragjike?
Ilaria Sula, studentja shqiptare 22-vjeçare, e cila ishte zhdukur prej datës 25 mars, u gjet e vdekur mëngjesin e sotëm brenda një valixheje në një zonë pyjore në komunën e Polit (Romë), në fund të një shkëmbi.
Policia italiane ka arrestuar ish të dashurin e saj Marc Samson, ndërsa hetimet për shkakun e vrasjes janë fokusuar tek fundi i lidhjes së 22-vjeçares dhe partnerit filipinas.
Që nga mbrëmja e 25 marsit, Ilaria Sula, e cila ka një vëlla 20-vjeçar, ishte zhdukur. Ajo doli nga dhoma ku jetonte me disa shoqe pa i përshëndetur dhe pa iu kthyer përgjigje mesazheve në ËhatsApp.
22-vjeçarja kishte disa vite që jetonte në Romë dhe ndante një apartament me disa shoqe. Kur Ilaria doli nga shtëpia e saj në lagjen San Lorenzo të martën dhe nuk u kthye më, miqtë e saj u alarmuan dhe njoftuan prindërit e viktimës, të cilët denoncuan zhdukjen në polici, ndërsa ditën e sotme u zbulua fati i saj tragjik.
Lini një Përgjigje