
Mbyllet seanca për Erion Alibej, lidhur me dosjen “Plumbi i artë”.
Sot u mbajt në GJKKO seanca për Erion Alibej, i përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”. Për herë të parë, Alibej dha dëshminë e tij, ku rrëfeu takimin me Suel Çelën në Holandë.
Ai deklaroi se udhëtoi atje si klandestin dhe se Çela i kishte dhënë garanci se në vrasjen e familjarëve të tij ishin të përfshirë Çopjat.
Alibej tregoi gjithashtu se si mësoi për sulmin ndaj vëllait të tij, Endritit, ndërsa vetë ndodhej në kërkim. Ndërkohë që pritet që seanca e radhës të mbahet më datë 3 qershor.
Kujtojmë se Erion Alibej u arrestua në Elbasan më 18 shtator 2020. Ai akuzohet si organizator dhe financues i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, të ndodhura më 20 dhe 29 korrik 2020 në Elbasan. Prokuroria dyshon se këto vrasje lidhen me hakmarrje dhe prishje të pazareve të drogës mes grupeve kriminale.
Gjithashtu, Alibej dyshohet për përfshirje në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, si dhe për organizimin e një sërë vrasjesh të tjera mafioze, përfshirë ato të Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë, dhe vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Ai akuzohet gjithashtu si kreu i një organizate kriminale në Elbasan dhe për porositjen e atentateve për motive hakmarrjeje dhe trafik droge. Në tetor 2023, Alibej pranoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë me SPAK-un, duke ofruar dëshmi për krime të tjera në këmbim të një dënimi të reduktuar.
Lini një Përgjigje