TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Korrik 2023, 09:20

Dhuna barbare e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja, policia: Bllokohet gurorja në Borizanë, dëmtoi 9 banesa

Shkruar nga Pamfleti

Dhuna barbare e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja, policia: Bllokohet

Gurorja në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të deputetit socialist të dorëhequr Rrahman Rraja në Borizanë të Krujës është bllokuar.

Ky vendim u mor pas inspektimit të bërë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM).

Bllokimi i aktivitetit të gurores u bë 3 ditë pas ngjarjes së rëndë ku anëtarë të fisit Rraja së bashku me të birin dhe vëllezërit e deputetit të dorëhequr të PS-së, Rrahman Rraja, dhunuan kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja.

Sipas policisë, gurorja është konstatuar rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë. Gjithashtu është kryer kontroll në nëntë banesa, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje.

"Borizanë, Krujë/Bllokohet aktiviteti në subjektin gurore "Delia Group"

Bllokimi pas inspektimit të bërë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me AKBN dhe AKSEM.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetura nga strukturat e Drejtorisë së Përgithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ushtruan kontroll ne subjektin gurore "Delia Group", me administrator shtetasin V. D., me vendndodhje rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë.

Pas këqyrjes së sipërfaqjes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN dhe AKSEM.

Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 (nëntë) banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje.

Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.

Aktet procedurale të përpiluara do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si pjesë e materialeve të referuara më parë, për ngjarjen e datës 02.05.2023.", njofton policia.

Kujtojmë se deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, ka dhënë dorëheqjen pas dhunës barbare që familjarët e tij ushtruan ndaj kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja tre ditë më parë.

Dorëheqja e Rrahman Rrajës nga mandati i deputetit vjen 48 orë pas dhunës që djali Rexhep Rraja dhe vëllezërit e tij ushtruan ndaj dy kushërinjve Maja në aksin Thumanë-Fushë Krujë, për shkak se këta të fundit ishin ankuar për guroren e tyre, pasi po ju shkatërronte banesat.

Kjo ngjarje e rëndë gjithashtu bëri që opinioni publik të reagonte ashpër edhe ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit, të cilët ditën e parë pas shoqërimit të autorëve të dhunës, i lanë këta të fundit të lirë.

Ndërsa një ditë më pas i shpallën në kërkim, pasi vunë re në video se dhuna barbare ju kishte rrezikuar jetën seriozisht dy anëtarëve të familjes Maja.

Gjithashtu kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin nga detyra të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Lajmin e ka bërë publik vetë Rama përmes një postimi në Twitter, ku njofton se ditën e hënë do t’i propozojë Presidentit Bajram Begaj shkarkimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe emërimin në këtë post të Taulant Ballës.

Shkak për shkarkimin e Çuçit duket se është bërë ngjarja në Fushë Krujë, ku të afërmit e ish-deputetit Rrahman Rraja rrahën brutalisht dy persona të cilët denoncuan prishjen e shtëpive të tyre nga shpërthimet në guroren e familjes Rraja.

fisi rraja policia gurorja borizane

Lini një Përgjigje