Rrahman Rraja ka dorëzuar mandatin e deputetit pas skandalit të ndodhur dy ditë më parë në Krujë. Djali, vëllezërit dhe të afërmit e tij dhunuan barbarisht dy fshatarë të Borizanës, vetëm sepse ata u ankuan se shpërthimet e gurores së fisit Rraja ju dëmtonin banesat.
Pas bujës së madhe mediatike, Rrahman Rraja ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu ai i ka bërë thirrje të birit që të dorëzohet, pasi ai është ende në arrati. Gjithashtu ai i kërkuar falje Edi Ramës për “këtë shqetësim që i ka shkaktuar”.
"Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova", njoftoi Rraja.
Policia ka vënë në pranga 8 persona për ngjarjen në fjalë. Dje u arrestuan 4 prej tyre dhe 4 të tjerë sot. Por djali i deputetit dhe vëllezërit e tij, madje njëri i armatosur janë në arrati. Vetë mazhoranca nuk ka folur që prej së enjtes dhe duket se Rraja sot u detyrua të dorëzonte dorëheqjen, pasi kemi të bëjmë me një skandal të vërtetë.
Lini një Përgjigje