
Detaje të tjera janë zbardhur nga dosja hetimore për operacionin policor në Maliq, ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli. Në dosje përshkruhet mënyra se si çobani që kishte denoncuar Violand Braçellarin u përdor nga policia për të treguar vendndodhjen ku dyshohej se fshihej i kërkuari.
Sipas dosjes, mëngjesin e 4 qershorit 2026, shefi i Komisariatit të Policisë Maliq ka kontaktuar shtetasin A.K. përmes aplikacionit “WhatsApp”. Pas takimit, atij i janë dhënë një maskë dhe një bluzë me mbishkrimin “POLICIA”, të cilat i ka veshur para se të nisej bashkë me efektivët drejt zonës ku ndodhej Braçellari.
Në dëshminë e tij, A.K. ka treguar se në operacion morën pjesë pesë automjete dhe se policia mbërriti pranë vendit rreth orës 06:30-07:00. Sipas tij, efektivët u ndalën 100 deri në 200 metra larg zonës, veshën pajisjet antiplumb, u armatosën dhe morën udhëzimet për kontrollin.
Në dosje thuhet:
“Në datë 04.06.2026, rreth orës 05:00 të mëngjesit, Shefi i Komisariatit të Policisë Maliq, e ka telefonuar në aplikacionin e komunikimit “WhatsApp” dhe pasi e ka takuar, i ka dhënë një maskë dhe një bluze si ato të policisë me mbishkrim “POLICIA”, të cilat i ka veshur. Më pas është nisur sëbashku me punonjësit e policisë në vendin e lartpërmendur, ku ai ka udhëtuar me një automjet, tip foristradë me ngjyrë si gri. I pyetur në lidhje me faktin se sa automjete policie ka konstatuar që kanë marrë pjesë në operacionin për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, shtetasi A. K. është përgjigjur se ishin pesë automjete, dhe konkretisht 1 (një) “foristradë” e bardhë, 1 (një) “foristradë” gri, 1 (një) fugon police, 1 (një) Range-Rover i bardhë, dhe 1 (një) “foristradë” gri.
I pyetur se rreth çfarë ore kanë mbërritur në vendin ku ndodhej shtetasi Violand Braçellari, shtetasi A. K. është përgjigjur se rreth orës 06:30-07:00. Fillimisht automjetet e lartpërmendura kanë ndaluar në një distancë prej 100-200 metrash nga vendi ku ndodhej Violand Braçellari dhe pasi të gjithë punonjësit e policisë kanë zbritur i kujtohet se kanë veshur pajisjet antiplumb dhe janë armatosur me armë “automatik”. Më pas, punonjësit e policisë janë rreshtuar dhe përballë tyre kanë qëndruar 4 (katër) punonjës të tjerë, të cilët mendon se ishin drejtuesit e tyre dhe kanë dhënë urdhrat se si do të zhvillohej kontrolli. Në një moment, një prej tyre me trup mesatar, qeros, i është drejtuar punonjësve të policisë me fjalët “Asnjë fjalë” dhe ka urdhëruar shpërndarjen e tyre të organizuar në grupe prej 4 (katër) vetësh. Pasi punonjësit e policisë kanë hyrë për kontroll, ka dëgjuar të shtëna armësh dhe fjalët “Dorëzo armën” dhe ka konstatuar se një punonjës ishte i dëmtuar në pjesën e nofullës. Më pas, sëbashku me punonjësit ka ardhur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë”.
Ndërkohë, pjesë e hetimeve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është edhe pyetja se përse nuk u njoftuan forcat speciale RENEA për operacionin. Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, ka deklaruar se strukturat vendore nuk e kishin vlerësuar Violand Braçellarin si person me rrezikshmëri të tillë që të kërkonte domosdoshmërisht ndërhyrjen e RENEA-s.
Sipas dëshmisë së tij, grupet operacionale ishin mbledhur rreth orës 04:30 në ambientet e DVP Korçë dhe ishin ndarë në dy drejtime, në varësi të terrenit ku dyshohej se ndodhej personi në kërkim. Një grup do të lëvizte nga aksi Maliq-Lozhan-Bode, ndërsa grupi tjetër nga aksi Korçë-Voskopojë-Bode.
Në dosje përshkruhen edhe vështirësitë e terrenit malor, problemet me automjetet dhe lëvizja në këmbë e një pjese të efektivëve drejt zonës ku do të kryhej kontrolli. Bala ka deklaruar se, ndërsa ndodheshin ende në distancë nga stani, dëgjuan të shtëna automatiku dhe u nisën me vrap drejt vendngjarjes, ku më pas mësuan se një efektiv kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur.
Sipas dosjes, Bala ka shpjeguar se Braçellari ishte i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, por nuk kishte të dhëna të mëparshme se kishte përdorur armë ndaj policisë. Për këtë arsye, sipas tij, strukturat vendore kishin marrë masa për zhvillimin e operacionit pa kërkuar mbështetjen e RENEA-s.
Në dosje thuhet:
“Një grup me përbërje të të cilit ishin dy zv.drejtorat, shefi i Komisariatit të Policisë Maliq, një grup i Shqiponjave së bashku me shefin e seksionit të Shqiponjave dhe shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë Maliq, si dhe disa punonjës policie të seksionit të mbështetjes operacionale të DVP Korçë, do të shkonin në vendin ku ishte e dhëna për personin në kërkim, nëpërmjet aksit rrugor Maliq-Lozhan- Bode. Grupi tjetër, në përbërje të të cilit ishte ai vetë, shefi i sektorit të rendit Edmond Çela, Shefit të Komisariatit të Policisë Korçë Faik Ruko, një grup i shqiponjave dhe punonjës policie të Komisariatit Korçë, do shkonin në vendin ku dyshohej se ishte personi në kërkim, nëpërmjet aksit rrugor Korçë- Voskopojë-Bode.
Rreth orës 04:30, ai sëbashku me shërbimet e policisë, janë nisur nga DVP Korçë, në drejtimet e respektive, pasi kanë kaluar fshatin Voskopojë, rreth një kilometër, në një rrugë krejtësisht malore dhe terren të vështirë, dy nga automjetet e kishin të pamundur të vazhdonin lëvizjen. Një mjet që ata kishin në dispozicion në këtë moment, ka marrë gjysmat e punonjësve dhe i ka dërguar deri rreth 2-3 km larg vendit ku do bëhej kontrolli dhe po ky mjet është kthyer dhe i ka marrë pjesën tjetër, ku ishte ai, shefi i sektorit të rendit Edmond Çela, Shefit të Komisariatit të Policisë Korçë Faik Ruko dhe disa punonjës police. Pa shkuar tek vendi ku ishte pjesa tjetër e grupit edhe ky mjet u prish dhe e kanë lënë aty dhe kanë vazhduar ecjen në këmbë në drejtim të pjesës tjetër të grupit. Janë takuar me pjesën tjetër të grupit dhe ai dhe dy shefat e tjerë kanë dhënë instruktazhin për detyrën që do të kryenin.
Detyrat ishin të qarta, duke i ndarë në dy mini grupe për t’i vendosur në dy rrugë të ndryshme ku dyshohej se personi në kërkim mund të largohej për në pyll. Konkretishtë një rrugë ishte zbritja nga stallat drejt përroit që të çon për në fshatin Lekas dhe rruga e dytë ishtë ana e kundërt e faqjes së kodrës që të çon në drejtim të Maliqit. Në një moment kur po bënte instruktazhin, i shkon një thirrje telefonike nga zv.drejtori, me të cilin kishte komunikuar detyrat konkrete që do të kryenin në raport me situatën. Sqaron se kishte zona ku kishte vale telefonike dhe zona ku nuk kishte vale telefonike. Kur ata ishin tek përroi, në një distancë rreth 400-500 metër, kanë dëgjuar të shtëna automatiku dhe janë nisur me vrap në drejtim të stanit.
Kur kanë arritur në vend ngjarje, kanë mësuar se një punonjës policie kishte ndërruar jetë dhe një punonjës policie ishte plagosur. I pyetur në lidhje me faktin se ai në detyrën e Drejtorit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, gjatë hartimit të planit operacional, a kishte dijeni për rrezikshmërinë shoqërore të personit në kërkim dhe nisur nga kjo, a ishte e nevojshme që të të kishin kërkuar edhe mbështetjen e forcave speciale RENEA, shtetasi Vilson Bala ka deklaruar se ai në këtë detyrë ka prej datës 13.01.2026. Në raport me problametikën për të cilën pyetet, shtetasi Violand Braçellari, ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe jo për vepra penale kundër personit. Kishin dijeni për faktin se mund të ishte i armatosur dhe strukturat e DVP Korçë kanë marrë masat maksimale për të realizuar operacionin policor.
Në analizë të veprimeve të mëparshme të këtij shtetasi, nuk ka asnjë të dhënë që ky person të ketë përdorur armë zjarri ndaj punonjësve të policisë edhe gjatë kontrolleve të mëparshme të kryera nga ana e policisë. Gjithashtu, nuk ka një procedurë standarte fikse, të cilat të normojnë në mënyrë të prerë rastet kur njoftohet reparti RENEA. Gjithsesi, në konkluzion të analizës të bërë, nuk rezulton që rrezikshmëria e tij shoqëore të ishte e atillë që të kërkonte domosdoshmërisht njoftimin e repartit RENEA. Të gjithë punonjësit e policisë, pjesëmarrës në operacion, janë punonjës policie të arsimuar dhe trajnuar për zhvillimin dhe kapjen e personave në kërkim. Gjithashtu, ka shtuar se, ai si drejtues policie, ka një karrierë të gjatë në strukturat e policisë, ku ka punuar, ka kryer shërbime për kapjen e personave në kërkim, me punonjës policie të strukturave vendore të policisë, pa ndihmën e repartit RENEA”./ TCH
Lini një Përgjigje