TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Maj 2026, 14:45

“Bëj sikur s’më njeh”/ Përgjimet e grupit të Igli Kamberit, si milionat e drogës transportoheshin me kamionë drejt Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
“Bëj sikur s’më njeh”/ Përgjimet e grupit
Foto nga operacioni

Gjykata e Posaçme ka shqyrtuar masat e sigurisë ndaj personave të arrestuar në kuadër të një hetimi për pastrim parash, operacion i realizuar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe i lidhur me grupin e Igli Kamberit.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, hetimet kanë nxjerrë në pah një mekanizëm të sofistikuar për transportimin e parave të përfituara nga aktiviteti i trafikut të lëndëve narkotike.

Prokurorët dyshojnë se shuma të konsiderueshme parash transportoheshin përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare, me synimin për të shmangur dokumentimin dhe kontrollet doganore, duke e bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së tyre dhe shmangien e detyrimeve ligjore për deklarim.

Në dosje thuhet se kjo metodë mbështetej në raportin e besimit mes pronarëve të parave dhe shoferëve të autobusëve apo kamionëve të identifikuar nga grupi kriminal. Sipas hetimeve, bashkëpunimi mes palëve ka qenë i organizuar dhe i vazhdueshëm, ndërsa shoferët përfitonin pagesë në formën e një përqindjeje për transportimin e shumave dhe rrezikun që merrnin përsipër.

Një prej episodeve kryesore të dokumentuara nga hetuesit i përket datës 22 tetor 2024, kur dyshohet se është realizuar dorëzimi i një sasie të madhe parash cash të fshehura në dy çanta me rroba të përdorura. Sipas dosjes, paratë iu dorëzuan shoferit shqiptar të kamionit, Sokol Fusha, nga shtetasja italiane Annamaria Lamia Caputo.

Sipas hetimeve, automjeti FORD C-Max me targë DK447LA, i përdorur nga Caputo, ishte nën mbikëqyrje audio dhe video. Pamjet e siguruara në një pikë karburanti përgjatë autostradës SS100 në Itali kanë dokumentuar takimin dhe kanë lidhur lëvizjen e shumave monetare me aktivitetin e grupit kriminal që po hetohet.

Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu se gjatë lëvizjes së saj, Annamaria Lamia Caputo ka komunikuar me Ergys Kastratin, i cili i ka dhënë udhëzime për vendin e takimit. Në një mesazh zanor, ai i ka treguar zonën ku do të ndodhej personi i kontaktit.

Pak minuta para mbërritjes në vendtakim, Caputo është afruar nga një person tjetër me një automjet të ndryshëm, i cili i ka thënë: “Kur të arrijmë atje, le të bëjmë sikur nuk njihemi”, detaj që sipas hetuesve tregon nivelin e organizimit dhe koordinimit të operacionit.

Në orën 16:11, Caputo mbërriti në stacionin e karburantit IP pranë Capurso, në drejtim të Barit, dhe informoi Ergys Kastratin me një tjetër mesazh zanor ku shkruante: “Kam mbërritur”. Lëvizjet e saj u dokumentuan si përmes sistemit GPS të instaluar në automjet, ashtu edhe nga kamerat e sigurisë së stacionit të karburantit.

Sipas hetimeve, në zonë ndodhej edhe një automjet AUDI A4 Avant me targë FM702DF, i drejtuar nga një person që dyshohet të jetë Sergio Lamonaca. Automjeti rezulton i regjistruar në emër të Nevila Kamberit. Nga verifikimet në sistemin “Raport & Statistika” ka rezultuar se Nevila Kamberi kishte hyrë në territorin shqiptar së bashku me dy fëmijët e saj më 8 gusht 2025.

Më tej, Ergys Kastrati i ka dërguar Caputo-s udhëzime të tjera zanore për identifikimin e kamionit që do të merrte paratë, duke përshkruar një kamion Volvo me tendë blu. Sipas dosjes, ai i referohej të njëjtit mjet që ishte përdorur edhe në një takim të mëparshëm.

Pamjet filmike të siguruara nga hetuesit tregojnë se kamioni Volvo me tendë blu kishte mbërritur në zonën e shërbimit që në orën 14:50 dhe ishte pozicionuar brenda pikës së karburantit, ku më pas do të kryhej dorëzimi i shumave monetare.

pergjime igli kamberi milionat e droges

Lini një Përgjigje