TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Maj 2026, 10:27

U arrestua për plagosjen e pakistanezit në Greqi, e shkuara e errët e Andi Beqirit

Shkruar nga Pamfleti
U arrestua për plagosjen e pakistanezit në Greqi, e shkuara e
Pamje nga vendngjarja

Policia greke ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë pas plagosjes së një pakistanezi në Athinë. Të arrestuarit janë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç, banues në fshatin Gjashtë të Sarandës, dhe Andi Beqiri, 27 vjeç, nga Konispoli.

Në të njëjtin operacion u arrestua edhe një 30-vjeçar grek, i njohur për autoritetet për të kaluarën e tij kriminale, i cili konsiderohet nga hetuesit si autori kryesor i sulmit ndaj shtetasit pakistanez në biznesin e këtij të fundit në zonën e Patisias.

Sipas raportimeve të mediave greke, 30-vjeçari ka hyrë në dyqan i maskuar dhe në shoqërinë e njërit prej shqiptarëve. Pas plagosjes, grupi është larguar me një automjet tip “BMë”, duke u përfshirë më pas në një ndjekje me policinë në rrugët e kryeqytetit grek. Gjatë tentativës për t’u larguar, automjeti është përplasur me disa mjete të tjera, derisa u neutralizua nga efektivët.

Autoritetet po kërkojnë edhe një person të katërt, i dyshuar gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.

E kaluara e Andi Beqirit

Andi Beqiri rezulton i njohur për policinë greke. Në shtator të vitit 2022 ai u arrestua në zonën e Haidarit, në Athinë, pas zbulimit të dy armëve kallashnikov, dy krehërëve dhe rreth 90 fishekëve në automjetin me të cilin po udhëtonte.

Gjatë kontrollit, policia gjeti edhe dy bileta udhëtimi që lidhnin lëvizjet me qytetin kufitar të Igumenicës. Bashkë me të u arrestua edhe Viktor Cala, 41 vjeç, i shpallur në kërkim nga autoritetet greke.

Sipas hetimeve të asaj kohe, Cala dyshohej për vrasjen e një shtetasi rom dhe për tentativën e vrasjes së një shqiptari. Hetuesit grekë besonin se krimi ishte porositur nga Klod Cara, i njohur edhe si Klodian Lekocaj, 49 vjeç nga Berati, i burgosur prej vitesh në Greqi dhe i akuzuar për organizimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale, përfshirë vrasje.

Pistat e hetimit

Sa i përket plagosjes së fundit të shtetasit pakistanez, policia greke po heton mundësinë që ngjarja të jetë pjesë e një serie larjesh hesapesh.

Dyshimet mbështeten edhe te profili kriminal i 30-vjeçarit grek të arrestuar, i cili rezulton i përfshirë më herët në një plagosje me thikë ndaj një biznesmeni, si edhe në një vrasje të lidhur me përplasjet mes grupeve huligane të tifozërive në Greqi.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për lokalizimin e personit të katërt që mbetet ende në arrati.

plagosja e pakistanezit nga dy shqiptare ne greqi andi beqiri

Lini një Përgjigje