TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Maj 2026, 21:06

"Luajti teatër për një javë”, familjarët e Alba Cenkos reagojnë pas dëshmisë së autorit: Kastrioti gënjen, të bëjë test ADN-je!

Shkruar nga Pamfleti
"Luajti teatër për një javë”, familjarët e
Kastriot Cenko dhe viktima Alba Cenko

Gjyqi ndaj shqiptarit Kastriot Cenko në Greqi, i akuzuar për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij, 38-vjeçares Alba Cenko, ka hyrë në fazën përfundimtare. Ndërkohë amiljarët e viktimës kanë reaguar ashpër ndaj pretendimeve të tij në sallën e gjyqit.

Pak para dhënies së vendimit nga Gjykata e Përzier me Juri në Athinë, të afërmit e nënës së dy fëmijëve të mitur e kanë cilësuar të pandehurin si “gënjeshtar”, duke mohuar kategorikisht deklaratat e tij se Alba e tradhtonte me mikun e tij të fëmijërisë dhe se njëri prej fëmijëve nuk ishte biologjikisht i tij.

“Ai i thotë të gjitha këto sepse avokatët e tij po përpiqen t’i sigurojnë lehtësim në dënim. Janë gënjeshtra. Le të bëjë test ADN-je nëse pretendon se fëmija nuk është i tij”, deklaroi vëllai i viktimës për mediat greke.

Familjarët e 38-vjeçares tregojnë se Alba ishte e përkushtuar ndaj familjes dhe punonte vazhdimisht për të mbështetur ekonomikisht shtëpinë.

“Ajo punonte dy e tre punë, pasdite dhe mbrëmje, vetëm për të ndihmuar familjen. Rrinte gjithë ditën me burrin dhe familjen e tij. Nuk e meritonte këtë fund”, u shpreh një tjetër familjar.

Ata përshkruajnë gjithashtu karakterin e autorit të dyshuar si të qetë në dukje, por me shpërthime të papritura zemërimi.

“Nuk e kuptojmë si arriti ta vriste dhe më pas ta fshehte trupin në papafingo. Mund të zemërohej shumë shpejt. Motra ime është ende e shkatërruar psikologjikisht dhe nuk ndalon së qari për Albën”, tha kunati i viktimës.

Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2024, kur 39-vjeçari dyshohet se goditi bashkëshorten me çekiç dhe më pas e mbyti me një kabllo elektrike. Trupin e pajetë ai e fshehu në papafingon e banesës ku jetonin me dy fëmijët e mitur.

Në dëshminë e tij para gjykatës, Kastriot Cenko pranoi krimin, por pretendoi se ishte nxitur nga xhelozia dhe nga deklaratat e bashkëshortes se dëshironte të ndahej dhe të merrte fëmijët me vete. Ai tha gjithashtu se e fshehu trupin që fëmijët të mos e shihnin.

Sipas mediave greke, për rreth një javë pas vrasjes, ai vijoi të jetonte normalisht në shtëpi me fëmijët, ndërsa përpiqej të mashtronte si autoritetet ashtu edhe familjarët e gruas së ndjerë, duke mos treguar çfarë kishte ndodhur.

Familjarët e Albës kërkojnë dënim maksimal për autorin e dyshuar, ndërsa theksojnë se dy fëmijët e çiftit aktualisht ndodhen në kujdesin e vëllait të tij në Greqi.

Seanca e radhës do të mbahet më 29 maj në Gjykatën e Athinës, ku priten zhvillime të reja dhe vendimi përfundimtar për çështjen.

kastriot cenko vrasja e shqiptares greqi

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ha ha ha, veshtire per t'i perlare nje qime floku. Mos flisni marrezira.

    Lini një Përgjigje