TAGS-AT E JAVËS

Forum31 Tetor 2024, 16:02

Zhgënjimi në mbledhjen me përfaqësuesit e PE-së, shoqja Pirdeni dhe Bardhi me dosje si Shën Pali!

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Zhgënjimi në mbledhjen me përfaqësuesit e PE-së, shoqja

Më zhgënjeve shumë në mbledhje me këta të Parlamentit Europian! Pse do thuash ti? Ja fliste shoqja Pirdeni, filiz i ri i partisë, e ti zgërdhiheshe, në vend që të merrje shënime se atë Babua e nxori dhe në podcast !

Eh, vëlla, vëlla, si erdhën këto kohëra …eh ! Nuk dimë më ku kemi kokën, madje as koka nuk na duhet gjë! Mjafton bash-KOKA që kemi në krye, jo rradakja mbi shpatulla!

Shoh veten në pasqyrë dhe i them, ishe dy herë Vezir i Madh, jo ibret-Kryeministër, të kishte llafi peshë, tani të ka në dorë Bora virania!

Për foton e cv-së që i nisa më tërhoqi vërejtje, pasha Zotin, pse kaq i zymtë, më tha, mos e ke këtë vengërsi formë disidence ndaj epokës së lumturisë që Babo i ka dhënë këtij qafir milet që po e lodh e plak?!

Mejtimet e brendshme e trazimet më bënë të marr kartë e penë të ndaj ca daramete, të të bëj ca kritika e të të marr një mendje! Sa zili ja kam atij merhumit Bakes, salltaneti salltanet, gjumi gjumë, udhëtimi udhëtim!

Po ti mos e bëj atë letrën publike që me the për represionin ndaj opozitës …..hë mo atë që do e filloje me i dashur merhum!

Më zhgënjeve shumë në mbledhje me këta të Parlamentit Europian! Pse do thuash ti? Ja fliste shoqja Pirdeni, filiz i ri i partisë, e ti zgërdhiheshe, në vend që të merrje shënime se atë Babua e nxori dhe në podcast !

Tonit desh i ra zali se atij ju bë dora ujë, duke e rishkruar fjalimin e saj! Pastaj ç’qe ajo fjali “Zoti të faltë” drejtuar Tonit, sikur ai po thoshte budallallëqe, po edhe nëse, ato i kanë hije atij, more i uruar, e stolisin! Ky stan këtë bylmet ka.

Mbete pa fjalë kur reformatori i madh Xhafa, qe po ia ndreq samarin miletit qysh prej s’mbahet mend, vitit 1984, mori llafin për të rrëfyer se ç ‘reforma të mëdha do ti lërë peshqesh vatanit qerratai!

Vetëm shoqen Etilda-kurorën ndoqe me vëmendje dhe shfaqe pikëllim kur ajo iku, ndonëse Jorushi i Tabakëve të qortoi dy a tri herë për këtë kristianizëm të theksuar!

Po ky Gaz Bardhi more? Pu pu pu pse është me i zi se djalli? Mban një dosje në dore si Shën Pjetri tek dera e Parajsës, dhe na thotë me të zgërdhirë këtu të kam ty e atje atë tjetrin, ndaj kthehu mbrapsht! Mos bëftë hajër, mos bëftë, i paudhi!

Për Braçen jam në merak të madh! Ti e mban mend kur i përmbysi karrigen Babos atëherë kur e hoq nga Zëvendëskryeministër? E mban e mban se ai e fali, ndërsa ty të dënoi 40 ditë për një sullaco që i bëre tëndes nga brenda jashtë! Nuk është mirë i gjori sa të kapë vendin, një ditë i bën si kameraman dasmash Belës në Divjake, tjetrën i thotë Mamicës s’ka si ty o marifete! Sikter!

Po ty t’i falin ato të tilla luhatje e pavendosmëri?! Unë vetë i bëj mashallash sa njërës sa tjetrës që të jem i ndershëm! Nuk kam këllqe të mbaj zemërimin e tyre.

Po ai Lali çe kishte atë metafore me macen “Bela” që ra në gropë që herë e hiqte e herë e vinte! Na ngriu gjakun i paudhi se na pyesin njerëzia e rrimë meit! Janë me zarar këto komente në kohë qameti.

 

Këtë Ditmirin nuk e marr vesh, përditë del e na thotë “Shqipërisë i duhet kjo e i duhet ajo” po pse more nuk ka kush mendon për këto punë? Unë dhe ai mbetem t’i ndajmë!?! Po mendon Babua për Shqipërinë, mor i plaçin sytë atij dhe juve ! Më vjen t’ia marr atë çantën e turistit që ia kanë dhuruar në Budapest dhe t’ia vërvit në Lanë!

Të ka lezet shpirti me Arben Pëllumbin. Po i dëftonte Damos në kafenenë e Kuvendit, me mori Mamica tek Papa , aty u ngashëreva, qava sa desh plasa!

Blerina tha gjynah që nuk është Laerti ti mbledhë lotët se kështu venë dëm, se janë të dëlirjes nga mëkati?! Por ai i habiti të gjithë, me vrau ndërgjegjja tha, ç’dua unë këtu more maluketer, ne Papë kemi Babon ai na i qëron mëkatet! Ai krijon shi dhe breshër, diell dhe vapë, madje kohët e fundit, dhe shtete. Baba Mondin e bën Mbret. Se Papa këtu t’i fal, po atje po nuk desh Babua, të punon Spaku qindin! Si gur varri fytyre e tyre!

Nikoqirin ose Niqiforin, siç e thërrasim ne me përkëdheli, e ke vënë në vështersi të madhe që e nxore tek kronika krahasimin që i bënte Babos me Sadamin. As pi, as ha, vetëm dridhet si purtekë! Një ditë i shkova në zyrë, s’e gjeta, kur ç’të shoh, një këmbë dukej poshtë divanit dhe një lëng i verdhe kishte marrë udhën e dyshemesë me një duhmë amonjaku.

Po dil o mavri, dil i thashë, se të ka falur hëpërhë i duhesh në Korçe se ke leka e taraf! Jo, më tha, nuk kam hallin tim, por personazhet e kronikes po shkojnë një nga një në hapsana, druaj për Babon se për vete le të ma grijnë mishin, e dridhej.

Çudi e madhe me këtë Ogin, kemi filluar t’i servilosemi fshehurazi se këto gratë e tjera bëhen xheloze! Bora që i di këto punë ka hapur llaf që atë do e kandidojë Babua për bashkinë e Tiranës! Duhej ta kishim pikasur herët begenisjen e Bores ndaj saj! Mimi di Puccini më sheh gjatë në sy e lëshon psherëtima “ ah vllai, vllai”! S’e di në ka lojtur nga fiqiri apo bën vete! Ai Etjen Xhafa me habit , dje hëngri shtatë salçiçe e katër veze të skuqura! T’i kem si tagji në stomak, tha se nuk i dihet.

Damua e ka ndarë mendjen, të bëhet ç’ të bëhet…boll na ka dhënë Babua rybe , emër, gjë të gjallë, prona, ylefe e zahire! Po me hodhi ndonjë gjë përsëri sevap bën bereqavers!

Po ashtu dhe Klosin e kemi shpallur në kërkim këto kohë, po meazallah se e qet kokën! Nuk dihet kush do ketë fatin e Kadri Hazbiut e Feçorrit !

Sot u pa në sallën e Mexhlisit, duke parë me adhurim Mamicën.

Netës i hanë duart dhe i qan zemra, po ç’e do se nuk ka opozite ne salle t’i hynte me shpulla. Se për shpirt ju duam në boten tjetër. Ne hell do ju piqte sidomos ty. Në yndyrën tënde do e ngjyente Dilua dhe Ermua kafshatën. Me raki do të pinte Ismet Beqiri në lëndinë!

Për ty me erdhi mirë ( mes nesh kjo) që kishte ndërhyrë Mogerini tek shefja e kabinetit të Mamicës, për të lënë të hysh në binanë e zyrës se të ka marrë zët ngaqë ti e ke yshtur Kostën në qëndresë që ai mos t’ja bëjë kafenë dhe presë që Kali të hyjë në Trojë, atëherë kur duhet.

Te lutem, me kthe përgjigje sa më shpejt se e di që Kronika në dukje është e ashpër po në shpirt e drejtë!

Selam Krye zëvendës Liderit, Mulit se me ka paralajmëruar për këto mote!

Me brengë.

Yti Pandi.

I dyti Vezir i Shqipërisë me këtë emër të bukuar. Mos paça fatin e të parit në fund!

Lini një Përgjigje