TAGS-AT E JAVËS

Forum19 Gusht 2024, 11:00

Pushtimi ukrainas në Kursk po trondit regjimin në Moskë: A rrezikohet Putin nga një rebelim?

Shkruar nga Mark Galeotti
Pushtimi ukrainas në Kursk po trondit regjimin në Moskë: A
Vladimir Putin /

Chernomyrdin paralajmëroi dikur: ”Ne duhet të bëjmë atë që kanë nevojë njerëzit tanë, dhe jo atë që bëjmë aktualisht”. Duket e pamundur që Putini t’i vërë veshin kësaj thënie shumë të urtë...

Në vitin 1993, pas një rishikimi të dështuar të politikës monetare, kryeministri rus u tha aksidentalisht rusëve atë që mendonte vërtet. “Ne donim më të mirën. Por gjërat rrodhën si zakonisht...”- deklaroi Viktor Chernomyrdin. Ajo deklaratë kujtohet ende me humor nga bashkatdhetarët e tij fatalistë, të cilët e kanë mësuar nga përvoja e hidhur që të mos shpresojnë shumë shpesh për “më të mirën”.

Kështu ndërsa presidenti Vladimir Putin, pranoi javën e kaluar përmasat shqetësuese të pushtimit të një pjesë të vendit nga ushtria ukrainase, edhe një nga analistët ushtarakë më ultra-nacionalistë që zakonisht brohoret për Kremlinin, nuk mundi të përmbahej nga zemërimi duke përmendur frazën e të ndjerit Chernomyrdin.

Autoritetet në Moskë e kanë paraqitur sulmin e parë të madh të armikut në territorin e tyre që nga Lufta e Dytë Botërore, si një lëvizje të dëshpëruar që është e dënuar të dështojë. Por duke parë fotot dhe videot e refugjatëve që ikin nga vija e parë frontit, rusët e zakonshëm mendojnë se në rastin më të mirë lufta premton një fitore shumë të kushtueshme për Kremlinin.

Ata e kuptojnë se synimi i vërtetë, duhet të jetë minimizimi i kostove afatgjata për Rusinë. Ky sulm është një goditje shumë e fortë për Putinin. Ai ia ka dalë në të kaluarën të shmangë thuajse pa shumë mundim krizat dhe gabimet. Por që nga vendimi i tij për të pushtuar Ukrainën në shkurtin e vitit 2022, ka pësuar një sërë pengesash, nga izolimi ndërkombëtar deri tek rebelimi i ushtrisë së tij mercenare Wagner.

Mbi të gjitha, është bërë gjithnjë e më i paqëndrueshëm statusi i tij mitik i njeriut që nuk bën asnjëherë gabime. Por edhe një herë mburrjet e Putinit janë dëshmuar të jenë boshe dhe vendimmarrja e tij plot me të meta. Mbrojtjet kufitare që ai pretendonte se po ndërtoheshin dy vitet e fundit, u treguan të pamjaftueshme, teksa në shumë zona nuk ekzistonin fare.

Tenderët për mbrojtjen anti-tank të njohur edhe si “Dhëmbët e Dragoit” por edhe pengesa të ngjashme iu dhanë miqve të tij, dhe shpesh paratë janë marrë pa bërë asnjë punë. Ndërkohë  gjenerali Valeri Gerasimov, shefit të shtabit të përgjithshëm, të cilin Putin e ka mbrojtur pavarësisht kërkesave të shumta për shkarkimin e tij, ishte paralajmëruar për inkursionin, por ai e shpërfilli duke supozuar se do të ishte vetëm një tjetër sulm i kufizuar.

Pasi kishte premtuar në fillim të luftës se “ushtarët e rinj që po rekrutohen nuk po marrin pjesë në konflikt, dhe as më vonë”, Putin po i dërgon tani i dëshpëruar rekrutët në front në një përpjekje për të frenuar veteranët ukrainas të sprovuar beteja.

Ai nuk mund të fitojë dot kapital politik të brendshëm nga pamjet e mjeteve të blinduara perëndimore, që po përdoren nga ukrainasit në sulmin e tyre (veçanërisht ato gjermane, duke pasur parasysh se Kursku ishte vendi i një beteje të madhe tankesh kundër nazistëve në vitin 1943).

Kjo sepse ai pretendon se ukrainasit janë në fakt përfaqësues të NATO-s, por edhe për shkak të paralajmërimit të tij se çdo sulm në territorin rus, do të shkaktonte një kundërpërgjigje apokaliptike, ka dështuar ta frenojë Kievin apo Perëndimin. Putin ishte dukshëm shumë i nervozuar gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë pak orë pas fillimit të sulmit të Ukrainës. Pavarësisht zemërimit ai vazhdonte të konsultohej me shënimet e tij, dhe kishte pak ide konkrete për të shpallur, përtej kërkesës të paqarta që pushtuesit të dëboheshin nga territori rus. Ai po qëndron në përgjithësi i tërhequr, duke ia lënë vartësve barrën e përballjes me krizën. Ndaj ekziston një ndjenjë e dukshme shqetësimi për udhëheqjen e tij.

Një parlamentare rus tha për gazetën Verstka se “atmosfera është bërë shumë alarmante”, pasi është e pamundur të kihet besim tek Putini. Pritshmëria është që ukrainasit të dëbohen shpejt nga Kursku, edhe nëse kjo mund të zgjasë më shumë sesa premton Gerasimov, që në fillim pretendoi se ukrainasit u “bllokuan” vetëm një ditë pas sulmit të tyre.

Por për çfarë qëllimi? “Sigurisht Krimeja kishte rëndësi. Por tani për çfarë po vazhdojmë të luftojmë. A mos po e sakrifikojmë ekonominë tonë, vendin tonë në botë, madje edhe territorin tonë, për një pjesë të pasurive të paluajtshme ukrainase që nuk i kemi dashur kurrë?”- më tha një analist me banim në Moskë.

Mediat kryesisht të shtypura nga regjimi, po përdorin si rrallëherë tone kritike. Ndërsa Kremlini pretendon se po kujdeset mirë për 200.000 civilët rusë që janë evakuuar nga zonat kufitare, artikujt e tyre e kanë vënë theksin tek kushtet e këqija me të cilat përballen ata, si dhe tek dështimi i qeverisë federale për të përmbushur nevojat e tyre.

Kjo detyrë ka rënë mbi guvernatorët rajonalë, pra njerëzit e Putinit. Dhe ata vetë po shprehin me kujdes pakënaqësinë e tyre, për faktin se janë të detyruar të përballen me një krizë jo të krijuar prej tyre, dhe pa mbështetjen e duhur. Pra edhe një herë, Putini ka treguar se nuk është i gatshëm të mbështesë njerëzit e tij apo edhe t’i dëgjojë ata.

“Ai kërkon për vete meritën për çdo gjë që ata arrijnë të arrijnë, dhe do t’i mallkojë për gjithçka ku dështojnë”- thotë analisti. Ndërkohë, vendimi për dërgimin e rekrutëve - një pjesë e të cilëve nuk i janë nënshtruar ende stërvitjes minimale ligjore prej 4 muajsh - ka filluar të shqetësojë shumë prindërit e tyre, të cilët po nisin të protestojnë, por edhe një valë braktisjeje nga vetë ushtarët.

Aktualisht në Rusi ekziston një vetëdije e nënkuptuar për dështimin e udhëheqjes kombëtare. Karen Shakhnazarov, një regjisore që zakonisht është mbështetëse e vendosur e Putinit dhe e luftës, ishte e prerë në deklaratën e saj të fundit në televizionin kombëtar:”Nëse vazhdojnë gafa të tilla, ne mund ta humbasim luftën!”.

Kjo nuk do të thotë se është i afërt një grusht shteti apo revolucion, edhe pse regjimi është shumë i shqetësuar. Sipas një analisti rus me burime të shumta brenda Kremlinit “ajo që e detyroi Kremlinin të merrej seriozisht me ofrimin e ndihmës për refugjatët, ishte momenti kur shërbimet e sigurisë paralajmëruan mbi rrezikun e protestave”.

Rusët janë mësuar që shteti i tyre të jetë i paaftë dhe i korruptuar. Por kjo ka kufijtë e saj, dhe kur rusët e shumëvuajtur e humbin durimin, rezultati është shpesh ajo që Alexander Pushkin e quajti “rebelim rus, i pakuptimtë dhe i pamëshirshëm”. Në kohë lufte, patriotizmi mund t’i frenojë, por edhe mund t’i bëjë të shpërthejnë.

Një nga arsyet pse Putin e ka minimizuar këtë krizë - që nuk e quan ashtu siç është, një pushtim, por me terma elegantë si “kjo situatë” - është se pengesat në front dhe paaftësia për të mbrojtur atdheun, ka sjellë shpesh rrëzimin e regjimeve. Putini do ta përballojë këtë krizë. Ashtu si me kryengritjen e grupit Wagner vitin e kaluar , alternativa - në këtë rast ndarja e shtetit gjatë një pushtimi - duket edhe më pak tërheqëse për shumicën e rusëve.

Megjithatë ai do të dalë edhe më shumë i dobësuar prej saj. Duket se nuk e ka mësuar ende mësimin e Stalinit pas tronditjes fillestare që shkaktoi pushtimi nazist:t’i linte ekspertët të bënin punën e tyre. Ai ose Gerasimov mund ta menaxhojnë ende këtë situatë që të mos shkojë drejt një katastrofe.

Por nëse kriza zgjidhet, kjo nuk do të jetë merita e të dyve. Historikisht, kur dështojnë udhëheqësit rusë, përparojnë të tjerët, qofshin gjeneralët që luftuan nazistët në Luftën e Dytë Botërore apo milicitë popullore që përzunë pushtuesit polakë gjatë Kohës së Telasheve në fillim të shekullit XVII-të, kur aristokratët po bënin marrëveshje me pushtuesit.

Guvernatorët po bashkëpunojnë me Ministrinë e Situatave të Emergjencave për të strehuar dhe ushqyer refugjatët. OJQ-të, për kaq shumë kohë të margjinalizuara ose të shtypura nën sundimin e Putin, po ndihmojnë për lidhjet me familjarët apo duke i këshilluar të zhvendosurit për të drejtat e tyre.

Komandantët në fushën e betejës, kanë nisur të kuptojnë se si t’i kundërpërgjigjen taktikave shumë të lëvizshme të pushtuesve. Siç vuri në dukje një burim ukrainas i mbrojtjes:”Deri më tani ne nuk po hasim përballë trupa më të mira. Por po shohim se ato po përdoren më mirë”.

Rusët e zakonshëm po dërgojnë ndihma për njerëzit e zhvendosur nga luftimet në Kursk. Po bie miti i vjetër i rehatshëm, sipas të cilit për çdo problem nuk është faji i Carit, por i këshilltarëve, gjeneralëve dhe zyrtarëve të korruptuar ose budallenj rrotull tij. Rusët mund të mos besojnë ende se lufta ishte një gabim, e lëre më pastaj se është koha për të bërë paqe.

Në fakt, disa prej tyre ndihen edhe më të zemëruar me ukrainasit. Një grua, familja e së cilës ishte në qytetin e pushtuar Sudzha, u shpreh për portalin e pavarur të lajmeve Bereg:”Unë e fajësoj ende Putinin për këtë luftë. Por tani shpresoj që njerëzit që më parë i urreja - të zellshmit pro luftës - të kenë sukses”.

Megjithatë, ata e dinë se monarku i tyre i ka gënjyer sërish. Dhe në planin afatgjatë, kjo mund të jetë gjëja më e rrezikshme për një regjim, legjitimiteti i të cilit nuk mbështetet në të drejtën hyjnore, por pretendimin e tij për “ta ngritur Rusinë në këmbë”, siç e ka shprehur vetë Putin.

Për shumicën e rusëve, kjo nuk duket më si një rrugë që të çon në ndonjë lloj fitoreje. Edhe Chernomyrdin paralajmëroi dikur: ”Ne duhet të bëjmë atë që kanë nevojë njerëzit tanë, dhe jo atë që bëjmë aktualisht”. Duket e pamundur që Putini t’i vërë veshin kësaj thënie shumë të urtë./Përshtati Pamfleti nga “The Sunday Times”

pushtimi ukrainas regjimi në moskë putin

Lini një Përgjigje