Një operacion i Policisë së Shkodrës kundër kultivimit të bimëve narkotike ka çuar në goditjen e dy rasteve në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël.
Si rezultat, në pranga ranë Pllumb Mollzati, 53 vjeç, i dyshuar se kishte kultivuar një parcelë me 768 bimë cannabis sativa në fshatin Ndrejaj, si dhe Ardjan Çekaj, 52 vjeç, i arrestuar pranë një parcele me 1,250 bimë cannabis sativa në fshatin Vukël, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Gjatë operacionit, pranë banesës së Mollzatit u sekuestruan edhe 80 kubikë të dyshuar me fidanë kanabisi.
Në total, Policia asgjësoi me djegie 2,098 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, ndërsa nisi procedim penal në gjendje të lirë edhe ndaj kryeplakut 65-vjeçar të fshatit Vukël.
"Policia e Shkodrës vijon operacionin e koduar “Territor i Pastër”, në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, duke goditur dy raste të kultivimit të kanabisit në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël.
Gjatë kontrolleve në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Policisë konstatuan 768 bimë të dyshuara cannabis sativa. Në momentin e ndërhyrjes u kap në flagrancë dhe u arrestua Pllumb Mollzati, 53 vjeç, banues në fshat, i cili dyshohet se kishte kultivuar parcelën. Pranë banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu 80 kubikë të dyshuar me fidanë kanabisi.
Në një tjetër operacion në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, Policia zbuloi 1,250 bimë të dyshuara cannabis sativa. Në afërsi të parcelës u arrestua në flagrancë Ardjan Çekaj, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Po ashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.
Në total, gjatë operacionit u asgjësuan me anë të djegies 2,098 bimë dhe fidanë kanabisi, ndërsa kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër për identifikimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Cfare jane ato sallata qe perzihen me domate, trongull, speca, qepe, ullinj e djathe me vaj ulliri? Duhet te beht shume e shijshme.