Ndërsa lufta po rrit çmimin e naftës në bursat ndërkombëtare, struktura fiskale dhe varësia nga importi mund ta bëjnë Shqipërinë një nga vendet që e ndjen më fort krizën e re energjetike...
Rritja e mundshme e çmimit të naftës në Shqipëri nuk lidhet vetëm me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme apo me luhatjet e bursave ndërkombëtare të energjisë. Në realitet, struktura e çmimit të karburantit në Shqipëri është e tillë që çdo rritje e vogël në tregjet globale shumëfishohet në çmimin final që paguajnë qytetarët. Kjo ndodh sepse një pjesë shumë e madhe e çmimit të naftës në vend nuk lidhet me vetë koston e produktit, por me barrën fiskale që shteti vendos mbi të.
Në tregun shqiptar, nafta që shitet në pompë përfshin një seri taksash të akumuluara mbi njëra-tjetrën. Përveç çmimit bazë të importit dhe kostove të transportit, mbi karburantin vendosen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, tarifa e markimit të karburantit dhe në fund TVSH. Këto taksa përbëjnë zakonisht mbi gjysmën e çmimit final. Në praktikë, kjo do të thotë se kur qytetarët paguajnë për një litër naftë, një pjesë shumë e madhe e asaj shume shkon direkt në buxhetin e shtetit.
Në këtë kuadër, Shqipëria është shpesh ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit në rajon, pavarësisht se fuqia blerëse e qytetarëve është ndër më të ulëtat në Europë. Ky paradoks ekonomik lidhet me faktin se politika fiskale e ka trajtuar karburantin si një nga burimet kryesore të të ardhurave buxhetore. Në vitet e fundit, taksat mbi karburantin kanë qenë një komponent i rëndësishëm i financimit të buxhetit publik, duke sjellë të ardhura të konsiderueshme për shtetin. Kjo krijon një situatë ku çdo ulje e taksave mbi karburantin do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat fiskale, gjë që e bën politikisht të vështirë ndërhyrjen.
Kur çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare rritet, efekti në Shqipëri bëhet edhe më i dukshëm pikërisht për shkak të kësaj strukture fiskale. Nëse çmimi i naftës në tregjet globale kalon 100 dollarë për fuçi, çmimi në pompë në Shqipëri zakonisht ngjitet në intervalin mbi 220–230 lekë për litër. Nëse tregjet globale do të shkonin drejt 120 dollarëve për fuçi, atëherë në tregun shqiptar çmimi mund të afrohet ose të kalojë 250 lekë për litër. Në skenarë më ekstremë, ku tensionet gjeopolitike çojnë naftën drejt niveleve shumë të larta, edhe çmimi në Shqipëri mund të afrohet me pragun psikologjik prej 300 lekësh për litër.
Kjo situatë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë. Shqipëria është një ekonomi ku transporti rrugor dominon pothuajse të gjitha sektorët. Mallrat, ushqimet, materialet e ndërtimit dhe shërbimet varen në masë të madhe nga transporti me kamionë dhe automjete që përdorin naftë. Për këtë arsye, çdo rritje e çmimit të karburantit përkthehet në rritje të kostove për bizneset dhe më pas në rritje të çmimeve për konsumatorët. Efekti domino prek zinxhirin e furnizimit, duke ndikuar në inflacion dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve.
Nga ana tjetër, struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri ka qenë shpesh objekt debatesh publike. Tregu është relativisht i vogël dhe dominohet nga disa operatorë kryesorë, ndërsa mekanizmat e konkurrencës nuk kanë qenë gjithmonë të fortë. Në disa periudha ka pasur dyshime se çmimet nuk kanë reflektuar menjëherë uljet e bursave ndërkombëtare, ndërsa rritjet janë reflektuar shumë shpejt. Kjo ka krijuar perceptimin se tregu funksionon me një elasticitet të njëanshëm, ku konsumatorët ndiejnë menjëherë rritjen, por jo gjithmonë përfitojnë nga uljet.
Në këtë kontekst, çdo krizë energjetike globale e gjen Shqipërinë në një pozicion të brishtë. Vendi nuk ka një kapacitet të madh rafinimi aktiv dhe është i varur nga importi i produkteve të përpunuara të naftës nga tregjet ndërkombëtare. Kjo varësi e bën ekonominë shqiptare shumë të ndjeshme ndaj çdo tensioni gjeopolitik që prek furnizimin global me energji.
Nëse tensionet në Lindjen e Mesme do të zgjasin dhe çmimi i naftës në tregjet botërore do të mbetet i lartë për një periudhë të gjatë, Shqipëria do të përballet me një presion të dyfishtë: nga njëra anë kostoja reale e energjisë që rritet globalisht, dhe nga ana tjetër struktura fiskale që e amplifikon këtë rritje në çmimin final. Në një situatë të tillë, çmimi i naftës në pompë mund të kthehet jo vetëm në një problem ekonomik, por edhe në një çështje sociale dhe politike, pasi ndikimi i tij prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe funksionimin e gjithë ekonomisë./Pamfleti
Si nuk pashe nje politikan qe te organizoje nje proteste specifike per naften. Ama te fokusuar vetem per cmimin e naftes me argumenta se paguajme shume shtrenjte dhe leket qe mblidhen shperdorohen brutalisht ne tendera te mbyllur me rruge e ura qe rrezohen pa u hapur akoma. Sot nje 1 liter nafte ne Maqedoni kushton 1140 leke, ne kosove 1330 leke. Ne tirane 1840 leke. pse ????? Kush kontrollon energjine kontrollon zhvillimin ekonomik te nje vendi - prandaj po behet lufte kudo- per energji.
Ne Londer e tere Britanine cmimi i benzines 125 Pound - 138 Pound dhe Diesel 132 - 150 Pound. Kursi i Pound - Lek eshte 1 Pound - 110 Lek. Dmth, ju plehra ne Shqiperi ia shisni karburantin popullit me dyfishin e Europes. Turp! Te gjithe kombet e shtetet jane pushtuar e nuk kane bere ze per disa vite e dekada por populli yne qurrash nuk eshte ndier me shekujt. Dhe me cfare te drejte i themi vehtes trima e te mencur!?
Vlerat jane: benzina 1.25 Pound - 1.38 Pound, nafta (diezel) 1.32 - 1.50 Pound. Ishte harruar pika dhjetore.
NJE POPULL DELE QË VOTON RREGULLISHT KETE PUSHTET TË KORUPTUAR, NJË KRYEKARIDHATO QË AS JA NDJEN PER KETE SHTRESE TE VARFER MOS PRISNI QË NAFTA TE ULET.....